Të abuzosh me Europën
Nga Imer Mushkolaj – Pas shprehjeve “Europë” e “vlera europiane” fshihen plot dallavere, hajni e korrupsion. Në emër të këtyre vlerave, ata që na udhëheqin dhe të tjerë që pretendojnë ta bëjnë këtë në të ardhmen abuzojnë me ne: qytetarët e mjerë – por me “perspektivë europiane”.
Fjalët “Europë” e “europianë” janë më të shpeshtat, me të cilat çdo ditë na bombardojnë politikanë, të pushtetit e të opozitës, në përpjekje për t’ua mbushur mendjen qytetarëve se punojnë për të tilla vlera, ndryshe nga kundërshtarët e tyre politikë. Dikush thotë se vendi ka perspektivë europiane, tjetri se po punohet sipas standardeve europiane, e i treti se kosovarët janë si të gjithë qytetarët tjerë europianë.
Por, mbrapa këtyre shprehjeve që tingëllojnë bukur fshihet hipokrizia e dyfytyrësia e atyre që i thonë, fshihet përpjekja për të kamufluar veprime e fenomene të dëmshme, fshihet qëllimi për të abuzuar me dashje dhe për të përfituar politikisht.
Veprimet i kanë krejtësisht antieuropiane, e na flasin për vlera europiane. Thonë se Kosova ka një vlerë të madhe – rininë, ndërkohë që kësaj rinie nuk i ofrohet shkollim cilësor e as vende pune.
Dhe s’ka si t’i ofrohet shkollimi i duhur, sepse vendet në shkolla e universitete i kanë zënë plot njerëz mediokër që veç me vlera europiane nuk kanë lidhje. Dhe s’ka si t’iu ofrohen vende pune, sepse ato i kanë mbushur me miq e familjarë, që veç me profesionalizëm nuk kanë lidhje.
Thonë se po punojnë për një sistem shëndetësor europian, ndërkohë që shëndetësia është kapluar nga korrupsioni e krimi i organizuar, duke u kthyer në biznes fitimprurës për ata që veç me Betimin e Hipokratit lidhje nuk kanë. Jetojmë si kafshë, pa sigurim shëndetësor.
Thonë se synohet një administratë efikase dhe në shërbim të qytetarëve, ndërkohë që administratën e kanë mbushur plot njerëz të paaftë që janë aty veç për të marrë paga e për të përfituar privilegje.
Thonë se janë për një sistem drejtësie efikas, ndërkohë që drejtësia vazhdon të jetë e kapur nga politika dhe nën diktatin e saj.
Thonë se kanë zero tolerancë ndaj korrupsionit e krimit, e me të korruptuar e hajna i ke të mbushura institucionet. Hajnia e korrupsioni janë kthyer në stil të qeverisjes, stil të jetës.
Thonë se po kujdesen për shëndetin tonë, ndërkohë që nuk e dimë çfarë hamë e çfarë pimë, e bërllogu na ngulfat.
Thonë se po përpiqen të na sigurojnë jetë më të mirë, ndërkaq jetë të dinjitetshme e luksoze bëjnë për vete, e varfëria sundon gjithkah.
Thonë se çmojnë dhe mbrojnë lirinë e shprehjes e të medias, ndërkohë që mediat e gazetarët janë në shënjestër të të gjithë atyre që kanë përfituar paligjshëm miliona, e që gazetarët i shohin armiq.
* * *
Para se të flasin për Europë e vlera europiane, ata që na udhëheqin dhe të tjerë që pretendojnë ta bëjnë këtë në të ardhmen duhet që së pari vetë të sillen si të tillë.
Besimin e qytetarëve të mos e marrin si privilegj, por si përgjegjësi. Të mos i shfrytëzojnë postet për të bërë çmos veç pse munden, për t’u pasuruar në kurriz të qytetarëve të pafuqishëm.
Për çfarë vlerash europiane po flasim në një vend ku çmohet padituria e budallakia, ku kryen punë forca e jo argumenti dhe ku njerëzit s’i besojnë sistemit – për shkak se sistemi nuk është në shërbim të tyre, është i korruptuar.
Për çfarë Europe po flasim, kur kosovarët nuk e kanë të drejtën të lëvizin lirshëm, pavarësisht se na kishin gënjyer se kjo do të ndodhte vite më parë.
Për çfarë perspektive europiane po flasim kur pak ose hiç punohet në reforma dhe përparimet në secilin sektor nuk është se ndodhin shpesh.
Për çfarë përgjegjësie karshi qytetarëve po flasim kur premtimet bëhen vetëm sa për t’i marrë votat, e pastaj harrohen si të mos ishin thënë kurrë.
Të flasësh për vlera europiane, e të bësh veprime antieuropiane janë dy gjëra që nuk shkojnë bashkë. Andaj jemi këtu ku jemi. Të mjerë, por me “perspektivë europiane”.
* * *
Paramendoni shumë politikanë tonë pa shprehjet “Europë”, “vlerë europiane” e “perspektivë europiane”. Do të dukeshin të varfër, të dobët. Në fakt do të dukeshin vetvetja, ashtu si janë, pa përmbajtje, veç si formë. Do të dukej sheshit sa sa ata vlejnë vërtet.
Andaj, në vend që të vazhdojnë avazin e kamuflimit të gjithçkaje me fraza “europiane”, më mirë do të ishte të punojnë diçka, të punojnë shumë madje, për t’i arritur ato vlera për të cilat na shurdhojnë çdo ditë. Përndryshe do të mbetemi peng i diskursit të tyre të gënjeshtërt që nuk na çon askund, peng i abuzimit të tyre.
Ata i bën të tingëllojnë mirë, e neve të besojmë se është ashtu. Ndërkohë që realiteti është krejt tjetër. Kështu si jemi, asgjë të përbashkët me Europën nuk kemi. Dhe kërkah, bash kërkah s’jemi. Kërkah, ama me “perspektivë europiane”!

