PDK: Gjilani po përjeton fatkeqësinë më të madhe në sferën e ndërtimeve pa leje
Gjilan – Sektori i Urbanizmit dhe Inspeksionit e kanë degraduar tërësisht rendin dhe standardin e ndërtimeve në Gjilan, ndërsa në tërë raportin e punës së kësaj drejtorie është paraqitur vetëm një sukses sipas tyre, lidhur me inkasimin e rritur nga lejet e ndërtimit, duke harruar se ajo rritje është rënie shumë e madhe në krahasim me shumëfishimin e ndërtimeve që janë bërë vitin e kaluar dhe gjatë këtij viti, e të cilat nuk janë ndërtuar me leje dhe kanë paguar zero taksa për ndërtim thuhet në reagimin e PDK-së.
Nuk ka qytetarë në Gjilan që nuk e din se sa shumë ndërtime pa leje po ndodhin në qytetin e tyre, se kush qëndron pas këtyre bizneseve, se si nuk ka respektim të planeve rregulluese urbanistike, se si po u shkatërrohet infrastruktura e qytetit nga mekanizmi i ndërtimeve që po bëhen pa leje dhe në kundërshtim me kushtet dhe kriteret urbanistike.
Për dy vite komuna e Gjilanit nuk ka marr asnjë veprim të vetëm, për të parandaluar ndërtimet pa leje, e lëre më të bëjë ndonjë rrënim edhe pse inspeksioni vetëm gjatë viti ka marr 30 vendime për rrënim (sipas raportit 9 mujor të inspeksionit), por kush ka guxim t`i rrënojë ato objekte, kur drejtori i urbanizmit Valon Shefkiu nuk ka guximin as të paraqes këtë të dhënë zyrtare para publikut.
Pas këtyre ndërtimeve pa leje, pa kurrfarë kontrolle të cilësisë, pa mbikëqyrje fare, pa pagesë të taksave komunale, si dhe pas vendimeve të inspeksionit për rrënime të objekteve pa leje, qëndron biznesi i klasës politike komunale dhe përfitimet e majme që i bëjnë nga katrahurë e urbanizmit.
Për çdo vendimi të rrënimit, po bëhet biznes dhe përfitim nga zyrtarët e lartë komunal, në mënyrë që t`i heshtin ato vendime dhe duke i bërë të pavlefshme. Gjilani po përjeton fatkeqësinë më të madhe në këtë fushë prej se është krijuar ky qytet, sepse as në kohët më të vështira nuk ka qenë kjo gjendje kaotike pa kurrfarë kontrolle dhe pa asnjë lloj mbikëqyrje për cilësinë e ndërtimeve të cilat po bëhen tani. E këtë gjendje mund ta quan edhe progres të madh drejtori i urbanizmit, sepse për dike e keqja është e mirë dhe mburret me të thuhet në reagimin e Komisionit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit dega në PDK./rajonipress/

