Alban Pnishi zgjedh Kosovën: E kam ëndërruar fanellën e vendlindjes time
Përfaqësuesja e Kosovës çdo ditë e më shumë po bëhet më e fortë me lojtarë tejet cilësorë që po vijnë t’i ndihmojnë asaj.I fundit që ka pranuar të veshë fanellën e Përfaqësueses së Kosovës, dhe që ka marrë ftesë është mbrojtësi fantastik Alban Pnishi.
Pnishi është njëri ndër mbrojtësit më të mirë në elitën e futbollit zviceran, derisa luan titullar të gjitha ndeshjet me gjigantin helvetik Grasshopper.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, mbrojtësi 25-vjeçar nga Gjakova ka treguar se është shumë i lumtur që do të luaj për vendlindjen e tij.
“Jam shumë i lumtur se më në fund do të mund të luaj për vendlindjen time Kosovën”.
“Edhe në dy grumbullimet e kaluara kam pasur ftesë por nuk kam mundur të vij shkaku i lëndimit që kisha, ndërsa tani është momenti më i miri që të luaj ndaj Shqipërisë me fanellën e Kosovës”, tha Pnishi për Telegrafin.
Kush të bindi ta zgjedhësh Kosovën? “Më ka bindur vetvetja ime dhe zemra që më tha se më mirë se vendlindja nuk ka askund. Thash edhe më lartë ka ndikuar edhe forma e mirë sportive, pasi në dy herët e kaluar nuk kam pasur mundësi të vij shkaku i lëndimit”, vazhdon tutje Pnishi.
Edhe pse është ndeshje miqësore dhe revyale, për Alban Pnishin nuk ka rëndësi, pasi ai dëshiron të bëjnë një ndeshje të mirë dhe ta fitojnë atë.
“E dimë që do të jetë vetëm një ndeshje miqësore, por ne do të japim maksimumin për ta bërë një ndeshje të mirë për tifozët dhe për të arritur fitore”.
“Duam t’i tregojmë edhe njëherë gjithë botës se jemi një Përfaqësuese e mirë dhe meritojmë pranim sa më parë në FIFA dhe UEFA”, përfundoi mbrojtësi kosovar i Grasshopperit.
Kujtojmë që Pnishi është mbrojtësi shqiptar që ka luajtur më së shumti minuta në kampionatin zviceran, duke lënë mbrapa për nga minutat të gjithë mbrojtësit shqiptarë në botë. /Telegrafi/


