ARKATANA

Kardiologu Florim Cuculi u bashkohet profesorëve të Universitetit të Bazelit

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Kardiologu Florim Cuculi, një emër i njohur në spitalin kantonal të Luzernit në Zvicër, tash e tutje do të ligjërojë edhe si docent privat (associate profesor) në Universitetin e Bazelit.

Pas shumë kërkimeve në fushën e kardiologjisë, sidomos pas 3 vjetësh qëndrimi në klinikën me renome Oxford Heart Centre në Angli, doktori me origjinë nga Maqedonia i jep një dimension të ri jetës së tij.

Ai i bashkohet stafit të profesorëve në Universitetin e Bazelit.

Suksesin e kardiologut të tyre shqiptar e kanë shënuar kolegët e tij me një apero pasditën e së hënës në spitalin kantonal të Lucernit.

Me një fjalim rasti u paraqit shefi i kardiologjisë në Spitalin Kantonal të Lucernit, PD Dr. med.Richard Kobza.

Kobza e ka përgëzuar doktor Cuculin për suksesin e arritur në jetën akademike.

Ai ka thënë se kolegu i tij ka punuar shumë për këtë ditë dhe ka publikuar shumë punime shkencore, duke premtuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me të edhe në të ardhmen.

ARKATANA

Cuculi kolegëve të tij u ka thënë se për të arritur këtë qëllim është dashur të punojë gjatë.

„Të paramendosh një fëmijë emigrant, i cili me 14 vjet ka ardhur në Zvicër e nuk ka ditur asnjë fjalë gjermanisht, i cili prej shkollës fillore (Realschule) arriti të kalojë në shkollën kantonale dhe u bë kardiolog, e tani është kryemjek në kardiologjinë e Luzernit dhe docent në Universitetin e Bazelit” është fenomenale, tha doktor Cuculi.

„Zvicra më ka ofruar shumë mundësi për të arritur suksesin tim. Në këto momemte i kujtoj njerëzit që më kanë përkrahur, sidomos kolegët e repartit të Kardiologjisë, që më mundësuan të vazhdoj angazhimin për t’u bërë profesor. Unë kur kam munguar, ata më kanë zëvendësuar. Por, unë e kam kompensuar mungesën time me punimet shkencore, tha më tutje doktori me origjinë nga Maqedonia.

Cuculi nuk e ka harruar pa e falënderuar edhe familjen që e kishin përkrahur moralisht, prindërit dhe vëllain që e kishin përkrahur moralisht dhe financiarisht, e po ashtu gruan dhe fëmijët e tij.

Cuculi ka thënë se nuk do të ndalet në rrugën e tij shkencore.

Ai theksoi se është i kënaqur se si ka rrjedhë jeta e tij profesionale dhe nuk do të ndryshonte asgjë nëse do t’i parashtrohej kjo pyetje.

Një intervistë të zgjeruar me kardiologun Cuculi do ta lexoni në numrin e radhës të revistës “albinfo.ch“.