A është shtrenjtë një biletë futbolli 3 euro?
Gjilan – Derbi futbollistik Gjilanas i futbollit edhe një herë dëshmoi se qyteti i Gjilanit është vend i futbollit dhe i tifozerisë së “Skifterave” dhe “Intelektualëve”.
Kur takohen këto dy skuadra i madh e i vogël i mësyn shkallët e stadiumit të qytetit për tu bërë pjesë e këtij spektakli futbollistik duke anuar për skuadrat e zemrës së tyre.
Dëshira ndaj këtij derbi nuk pyet nganjëherë se sa do të kushtoj një biletë për të qenë brenda stadiumit me gjithë krizën që ka popullata e Kosovës.
Në këtë stinor dy klubet Gjilani dhe Drita kanë ngrit biletat nga 3 euro duke shkaktuar pakënaqësi tek shikuesit e dy palëve, pasi që dihet në ndeshjet tjera gjithmonë është nga 2 euro.
Një pakënaqësi për këtë rritje të biletave u shfaqë edhe gjatë derbit të djeshëm tek shumë shikues duke akuzuar dy skuadrat për ngritjen e biletave.
Zyrtari i KF Gjilanit Granit Mustafa shpjegon për këtë ngritje të biletave.:”Jemi të detyruar ta vendosim këtë çmim për shkak të shpenzimeve të cilat i kemi brenda klubit që është një kosto shumë e madhe e mjeteve financiare, por njëherit është edhe festë e futbollit”.
Mustafa ju ka kërkuar falje të gjithë shikuesve për këtë ngritje të biletave.:”Ne shumë mirë e dimë buxhetin e popullit tonë, por jemi të detyruar së pari ky është një derbi i veçantë që e shikojnë jo vetëm nga Kosova, por edhe më gjerë, por në qoftëse ne nuk arrijmë që nëpërmjet biletave sado pak të bëjmë zbutjen e gjendjes financiare në klub atëherë nuk mundë t`i kryejmë obligimet të cilat i kemi ndaj futbollistëve dhe kuadrove në klub, duhet me na kuptuar edhe tifozët që gjithmonë i kemi mbështet pa rezervë”.
Menaxheri i Dritës Fisnik Kërqeli nuk i ik përgjegjësisë ndaj tifozëve, por kushtet financiare e detyrojnë që edhe klubi i Dritës të merr një vendim të tillë.”Në gjithë botën ka lëvizje të çmimeve të biletës duke i krahasuar derbit, na vije shumë keq ndaj tifozëve për këto lëvizje, por edhe ata duhet të na kuptojnë se jemi të detyruar pasi kostoja financiare në klub është shumë e madhe dhe nëpërmjet ndeshjeve të larta siç janë derbit sado pak e zbusim gjendjen financiare në klub”.
Kërqeli shprehet i bindur se në derbit dhe në ndeshjet me rëndësi të madhe të klubit gjithmonë duhet patur lëvizje të çmimit të biletës.”Tifozët gjithmonë na kanë mbështet në mënyra të ndryshme, ata duhet kuptuar se ato të holla shkojnë në llogari të klubit të tyre për kushte më të mira dhe ne ju jemi mirënjohës për kontributin e dhënë me blerjen e biletave të tyre”./sylejman ismajli/rajonipress/


