PDK: Luta nuk ka aq moral politik, është edhe më denigrues se Ramush Haradinaj
Gjilan – Sikur Lutfi Haziri të ishte aq burrë dhe të kishte aq shumë moral politik, do të ishte për lakmi se si ai po e këshillon Ramush Haradinajn dhe të tjerët, që të ruajnë institucionet e Kosovës dhe të ndalin gjuhën e sjelljen denigruese ndaj njëri tjetrit. Lutfi Haziri vetëm kur e ka punën ngushtë tregohet “i kulturuar dhe i matur”, përndryshe gjuha e tij e përdorur ndaj rivalëve politik, çdoherë ka qenë fyese, kërcënuese dhe ofenduese thuhet në reagimin e PDK-së dega në Gjilan.
Jo më larg se vitin e kaluar Lutfi Haziri e kishte quajtur Albin Kurtin “Hajn të Pulava” duke e krahasuar me Ahmet Zogun si dhe duke e prekur në moral. Ndërsa kryetari i tij i LDK-së e kishte quajtur atë edhe “gomar”.
Po vet Luta dhe bashkëpartiakët e tij para koalicionit PDK-LDK, i etiketonte, akuzonte dhe i quante edhe kriminel udhëheqësit më të lartë të PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, ndërsa sot i ledhaton ata.
Para pak viteve kur Hashim Thaçi e vizitonte Gjilanin, ishte po ky Lutë që ish-Kryeministrin e Republikës së Kosovës e quante “jabanxhi” në vendin e vet, atë dhe ekipin e tij i quante “njerëz me maska” dhe “Hiena”, kur mundohej dhe mendonte se po kërcënonte ish qeverisjen lokale me dhunën e “Ushtarëve të Rugovës” të cilët pasi erdhi në pushtet nuk po i përmend më asnjëherë këta “ushtarë”, i harroi krejt pasi i mashtroi keq ata.
Jo vetëm gjuhën e fyerjeve, sharjeve e kërcënimeve e përdorë Lutfi Haziri, por tipare të veçanta të karakterit të tij politik janë mashtrimi, shpifjet dhe etiketimet. Fatkeqësisht ai është i paskrupullt në politikë, ditën i fyen dhe i shanë ata, ndërsa natën me të njëjtit njerëz darkon, pra ky është morali politik i Lutës thuhet në reagimin e degës së PDK-së në Gjilan./rajonipress/


