Superskandali i teksteve amnistohet nga drejtësia
Shpërdorimi i jashtëzakonshëm i MASHT-it me librat shkollorë falas. Skema kriminale Hoxhaj &CO, e paprekur nga Prokuroria e shtetit dhe nga EULEX-i
Negocimi i kontratave shumëmilionëshe pa kurrfarë tenderi të ligjshëm, fryrja e çmimit të kostos, krijimi i monopolit të shtëpive botuese të favorizuara nga zyrtarët e pushtetarët e PDK-së, cilësia e dobët dhe manipulimet e tjera korruptive në relacionin: MASHT dhe dy shoqërive private, ‘Libri shkollor’ sh.p.k dhe ‘Dukagjini’ sh.p.k. kanë hasur në heshtjen e prokurorëve të shtetit, të cilët kanë argumente të bollshme për të hetuar e ngritur aktakuzë, por janë duke i mbyllur sytë para këtij abuzimi skandaloz e kriminal të financave të buxhetit nga përfaqësuesit e pushtetit
Tekstet shkollore kanë nisur të falen nga viti 2008, me vendim të Qeverisë së ish-kryeministrit Thaçi, kur ministër i Arsimit ishte Enver Hoxhaj. Duhet thënë se ky hap në atë kohë u vlerësua, por që ndër vite devalvoi fondi për tekstet. Në fakt, edhe para këtij vendimi, MASHT-i diku në vlerë rreth 200 mijë euro ka blerë libra dhe më pas ua ka shpërndarë tekstet shkollore fëmijëve që kanë pasur nevojë dhe që kushtet financiare i kanë pasur të këqija për t’u furnizuar. Shpeshherë falja e librave u kritikua nga vetë deputetët, të cilët thoshin se pse librat t’i falen një deputeti, biznesmeni dhe një shkolle private, sepse librat blihen me taksat e qytetarëve. Fillimisht, në vitin 2008, MASHT-i bleu tekste nga klasa e parë deri në të pestë në vlerë prej 2,691,984.83 euro, ku prej kësaj shume “Libri shkollor” ka përfituar 1,527,187.10 euro, kurse “Dukagjini” 1.164,797.73 euro./kosova sot/


