Iku para kohe poeti ynë i urtë e fjalë ëmbël, Jusuf Bislimi…
Gjilan – Ka ardhur koha ku as njeriu jetës nuk duhej ti zë besë! Jetë e “falur” dhe e huaj. Dikush tjetër ta ka “dhuruar” këtë jetë. Nuk e ke të sigurtë nga ndonjë “kompani”, e cila, sa herë jeta juaj është “defekt” ajo vjen dhe e riparon! Kjo është lotari jetë. Jetë fati. Jeton sa, si thotë populli, ta ka shkru i madhi Zot! Aty është fjala. Njerëzit jetojnë për t’mos vdekur! Dikush vdes përnjëherë. Kësaj i thonë vdekje e natyrshme. Vdes dhe askush s’të përmend. Por, disa njerëz, nuk “vdesin”! Ata jetojnë gjatë. Pra, njerëzit, për të mos vdekur, lënë pas vetës vepra.
Dikush lë emrin e politikanit, ndërtimtarit, inxhinierit, gazetarit, redaktorit, piktorit, poetit, shkrimtarit, arkitektit, diplomatit, pedagogut, mësuesit, profesorit, por dikush e lë emrin që lë vepra pas në jetë. Kjo është më e pranueshme, për faktin se, njeriu fizikisht vdes, por vepra e tij mbetet e pavdekshme.
Ajo jeton dhe vepra e tij mbetet e “gjallë”. Pra, ai nuk vdes! Andaj, edhe shoku ynë e i të gjithëve, Jusuf Bislimi, poet gjilanas, ai me veprat e tij, nuk ka vdekur! Ai është gjallë! Vepra e tij është duke u lexuar tek lexuesi ynë. Ajo lexohet e adhurohet. Kjo vepër e tij jetësore e bën poetin të pavdekshëm. Ky kumt që erdhi papritur nëpërmjet portaleve, se ka vdekur Jusuf Bislimi, poet gjilanas, më ka befasuar. U bëra i tëri i shtangur. Nuk besoja se ka ndërrur jetë Jusufi! Pas këtij lajmi të hidhur, nuk dija as të shkruaj e as të komunikoj me të afërmit. Pyes në fcb shokun tim profesor e gazetar, E. Sadikun për këtë kumt kob, ai ma kthen përgjigjen se kjo “gjë” është e vërtetë. Pyes veten: A vdes njeriu para kohe? Pse të vdes poeti? Poetët janë thërmi e jetës, të cilët i kanë sytë e vegjël, por shohin më shumë se të tjerët. Ata dhe vetëm ata e “shijojnë” jetën më ndryshe nga të tjerët. Pse t’mos jetojë poeti urtak, e fjalë ëmbël?!
Diçka ky kumt ma ndryshoi “shijen” time publicistike, për faktin se, të gjitha shkrimet që i kisha në destop, nga ky lajm kob, nuk i shihja mirë. Kjo “gjendje” ma ndryshoi kahjen e mendimeve. I lash të gjitha ato shënime e foto dhe vëmendjen e përcolla tek shoku, miku e poeti gjilanas, Jusuf Bislimi. Pse të ndodhë kjo një vdekje para kohe? Pse??? Poetët e krijuesit të tjerë nuk do të duhej të vdisnin para kohe. Unë ngrit zërin dhe protestoj… Nuk dua të vdesin krijuesit, poetë, shkrimtarët, dramaturgët, kronikanët e as skulptorët. Këta i japin “shije” jetës. Këta e hijeshojnë jetën. Pa këta, jeta do të ishte jetë “tjetër” e zbraztë. Por, ja vdekja kobzezë i merr njerëzit para kohe. Para kohe i merr edhe ëndrrat e tyre dhe i qon në botën e amshuar të hadit.
Mbyllen krejt kronikat, poezitë, udhëpërshkrimet, lajmet, recensionet, tregimet, esetë e romante e papërfunduara etj. Edhe shoku ynë poet, Jusuf Bislimi iku me të atë opus shkrimesh, të cilat shpesh na i dëftonte me fjalë se e ka në projekt këtë përmbledhje me poezi, këtë roman, këtë dokumentar e sa e sa shkrime të tjera. Por, ja iku dhe na mbetëm pa te, pa njeriun e urtë, pa fjalën e ëmbël, pa poezitë e tija, të cilat i joshnin fëmijët në ato orë letrare të këndshme. Jusuf Bislimi (1949), ishte krijues jo i sotit, por i një kohe më të hershme, i cili, herë pas here ka botuar vjersha e shkrime të tjera në disa gazeta për fëmijë e për të rritur në Kosovë e Maqedoni.
Jusuf Bislimi, tash i ndjerë, ishte nga fshati Bukovik i Gjilanit. Për këto vite 66 vjet, ai ka botuar shtatë vepra të ndryshme letrare. E ato janë: “Kush e zgjon ditën” (2011), “Loti në qepallë” (2012), “Flakë në zemër” (2012), “Mbi krahët e lumturisë” (2013), “Dhimbja e dhembjes” (2013), “Shprishja e ëndrrave” (2013), “Ferr apo Parajsë” – libër dokumentar (2013) dhe ditë më parë botoi librin e tetë në fjalë me poezi “Shkrihem në frymën tënde” (2014). Jo vetëm kjo. Kjo është vepra e tij e pavdekshme! Kjo është dokumentari më i mirë i tij, se ai e ka dashur jetën, familjen, shokët, miqtë, por e ka dashur edhe artin poetik e shkrimet tjera dokumentare. Ishte i tëri njeri dhe krijues me talent. Ja vdekja! Ajo vjen para kohe. Para kohe iku edhe poeti ynë i urtë e fjalë ëmbël, Jusuf Bislimi…/tefik selimi/rajonipress/


