De Biasi ka një lajm të madh për Kombëtaren
Gianni de Biasi e ka konfirmuar se do të jetë trajner i Kombëtares shqiptare deri në vitin 2017.Pas pohimeve në mediat italiane se do të mbetet trajner i kombëtares shqiptare deri në vitin 2017, Gianni De Biasi konfirmon ekskluzivisht për SuperSport vazhdimin e aventurës në krye të stolit kuqezi.
Trajneri i ka cilësuar të pakuptimta polemikat e krijuara rreth kontratës së tij. Debate që duheshin shmangur, edhe sepse erdhën në një moment kur Shqipëria festoi kualifikimin historik në Europianin 2016 në Francë.
“Më vjen keq vetëm që këtë gëzim nuk e përjetuam ashtu siç duhet, pasi kohët e fundit krijuam disa polemika që mund t’i shmangnim, por e rëndësishme është që në Qershor, Shqipëria do të jetë në Francë! Tani nuk ka shumë gjëra për të thënë, pasi kontrata ime rinovohet automatikisht deri në Tetor të 2017-tës dhe besoj se janë të gjitha kushtet për të vazhduar punën. Tani objektivi kryesor për mua është të përqendrohem te finalet e Evropianit”, tha De Biasi për SuperSport.
Trajneri nuk e fsheh dëshirën që pas arritjes madhore kontrata të rishikohet në aspektin financiar. Por, De Biasi vendosi pikat mbi “i” jo vetëm përsa i takon punës me kombëtaren, por edhe rreth marrëdhënieve, të cilat i cilëson të shkëlqyera me presidentin e Federatës, Armand Duka. /Express


