Bujanoc: Efektet e para të “Zajednicës” preshevare!
Pa u mbushur akoma një muaj e gjysmë nga formimi i Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi, që në popull po njihet si “Zajednica”, kanë filluar vetëm se të duken efektet e para të saj.
Beogradi, nuk ndërmori masa represive për bllokimin e seancës konstituive të “Zajednicës”, por me mënyra dhe metoda të ndryshme institucionale krijoi përçarje patologjike te shqiptarët, të cilët nuk ishin unik rreth formimit të këtij asociacioni.
“Zajednica” preshevare, gjithashtu, nuk gjeti përkrahje as nga institucionet relevante shqiptare në Tiranë e Prishtinë. Duke i shfrytëzuar të gjitha këto anomali politike, Beogradi, po u revanshohet shqiptarëve në Luginë të Preshevës, në mënyrën më ekstreme.
Policia shtetërore serbe, ka ngritur kallëzim penal ndaj 12 të rinjve shqiptarë të Komunës së Bujanocit, me arsyetimin se gjatë shënimit të fitores së Kombëtares shqiptare në Elbasan Arena dhe kualifikimin e saj në Evropianin 2016, në qendër të qytetit kanë brohoritur: “Ubij, zakolji da Srbin ne postoji – Vrite, therre që serbi mos të ekzistoj”.
Pas kthimit të kryetarëve të komunave Preshevë dhe Bujanoc: Ragmi Mustafa dhe Nagip Arifi nga Amerika, të cilët kishin shkuar me ftesë së Ligës Qytetare Shqiptaro –Amerikane, për të lobuar për “Zajednicën”, “Institucioni Shtetëror për Auditim (ISHA), ka publikuar një raport mbi auditimin e konsoliduar financiar të llogarisë përfundimtare të buxhetit dhe rregullsisë në punë për vitin 2014-të, në Komunë të Bujanocit etj”.
Në raportin e publikuar në faqen e ISHA-së, theksohet se janë vërejtur parregullsi të shumta të konfirmuara në llogarinë buxhetore të Komunës së Bujanocit, duke e prishur imazhin, që kishte dikur kjo komunë me ambient të volitshëm për investime kapitale. E ku të ketë rregullsi kjo qeverisje lokale, kur veç gjatë këtij viti në qytetin e Bujanocit, me dhjetar herë ka bërë sinjalizimin e rrugëve, e cila, natyrisht, se kushton. E mos të flasim për projekte të tjera kapitale, të cilat po rrënohen, para se me i gëzuar e shijuar qytetarët si duhet.
Po me kaq, nuk e ndal turrin Beogradi ndaj “Zajednicës” ! Këto ditë zyrtarë të lartë nga Qeveria e Serbisë, kanë ardhur në Bujanoc, pa e pyetur e kontaktuar fare qeverisjen lokale, duke ua rrëmbyer fabrikat e falimentuara, për vendosjen e emigrantëve nga Lindja e Mesme. Në hapësirat e Fabrikës “Svetlost” në Bujanoc, dikur me shumë punëtorë e bilanc pozitiv të prodhimit të akumulatorëve, tashti u shndërrua në qendër për pranimin e emigrantëve.
Një efekt tjetër i “Zajednicës” u pa edhe gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Medvegjë, ku partia e Vuçiqit, kryeministrit të Serbisë, e fitoi shumicën absolute të pushtetit, dukë lënë shqiptarët të përçarë, pa pushtet dhe pa dinjitet. Kjo u arrit falë
përçarjeve të atyre pak shqiptarëve, të cilët edhe pse i fituan dy këshilltarë komunal më shumë, ata mbetën me gishta në gojë, duke mos qenë më faktorë për ta kushtëzuar kreun e komunës me ndonjë post komunalie.
Rreziku i efekteve negative të “Zajdnicës”, do të duket edhe në vazhdimin e pasivizimit të vendbanimeve të shqiptarëve, kryesisht nga Malësia e Bujanocit dhe Karadaku i Preshevës, duke zvogëluar numrin e votuesve, nxënësve nëpër shkolla dhe mohimit të dokumenteve të identifikimit të qytetarëve shqiptarë, të cilët në tokë të tyre do të jenë qiraxhinj.
E “Zajednica”, le të vazhdojë me partitë në pushtet, të mbjell edhe më shumë përçarje ndërshqiptare, duke nxjerrë të rinjtë nëpër gjyqe, duke larguar kuadrot nga puna, duke politizuar deri në skajshmëri shkollat shqipe, duke mbajtur të bllokuar librat shqip, duke shpërdorur fondet publike dhe duke ushqyer Beogradin me veprimet e saj çmendurake mbi kurriz të popullit. E keqja nuk ka mbarim!
Shikoni mirë një foto të publikuar nga gazeta ditore “Zëri”, se si u votua symbyllur e kokulur “Zajednica!” Kështu e ka politika qorre e “Zajednicës” preshevare!/rajonipress/
Shoqëria Civile “Perspektiva” në Bujanoc


