De Biasi kërkon të harrohet Serbia
Mëngjesi i së premtes i gjeti futbollistët e Kombëtares në rezidencën e zakonshme në Durrës. Mes dëshpërimit për rezultatin, lojtarët nuk mund ta kalonin aq lehtë humbjen shokuese në minutat shtesë kundër Serbisë.
Disa nuk u besonin ende syve sesi skuadra pësoi dy gola në fund dhe për më tepër me kundërsulm.
“E njëjta histori është gati e pabesueshme. Nuk ka asnjë justifikim për mënyrën sesi e pësuam”, tregojnë për gazetën lojtarët kuqezi, të cilët nuk kishin dëshirë të identifikoheshin.
Burime të “Panorama Sport” pranë Kombëtares kanë bërë të ditur se trajneri De Biasi nuk ka humbur kohë, por menjëherë pasi ekipi ka konsumuar vaktin e mëngjesit, i ka thirrur lojtarët në mbledhje në sallën e konferencave të rezidencës.
Trajneri
“Serbia është tashmë një kapitull i mbyllur për ne. Ua thashë edhe pas ndeshjes që u rrëmbyem nga euforia dhe nuk u treguam inteligjentë në fushë. Kurrsesi nuk duhet të ndodhte, por tashmë gjithçka ka mbaruar dhe duhet të harrojmë atë që iku. Na pret një finale në Armeni dhe duhet ta përgatisim të qetë këtë takim”.
“Do të shikojmë së bashku kundërshtarin, duke u fokusuar 100% te loja e tyre. Të gjithë jeni të ndërgjegjshëm për rëndësinë e këtij takimi, unë besoj shumë te ju. Një fitore na çon në Francë, nuk ka vend për dekurajim”. Kështu mësohet t’u ketë thënë dje paradite trajneri lojtarëve kuqezinj.


