Ambasadorët e Quint-it: Veprime antidemokratike rrezikojnë rrugën evropiane
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli sot zhvilloi takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe përfaqësuesit e BE-së në Kosovë, me të cilët theksoj nevojën për një angazhim më proaktiv të të gjithëve në mënyrë që vendi të ecë përpara dhe skenarët e destabilizimit e të kthimit pas të mos kenë rast të jetësohen.
Ambasadorët shprehën shqetësimin e vendeve të tyre për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës nga veprimet e partive opozitare.
Sipas një komunikate të Kuvendit të Kosovës, ambasadorët theksuan se për vendet e tyre janë të papranueshme veprimet që cënojnë parimet dhe vlerat e demokracisë, mbi të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë institucionet e Kosovës. Më tutje, ata theksuan se të tilla veprime antidemokratike rrezikojnë të dëmtojnë përpjekjet e Kosovës për të ecur më shpejt në rrugën e saj evropiane.
Kryetari Veseli falënderoj ambasadorët për përkrahjen e tyre duke theksuar se Kosova ka qenë, është dhe do të jetë një storie e partneritetit me vendet mike perëndimore.
Veseli theksoj nevojën për një angazhim më proaktiv të të gjithëve, brenda këtij partneriteti, në mënyrë që vendi të ecë përpara dhe skenarët e destabilizimit e të kthimit pas të mos kenë rast të jetësohen.
Kryetari Veseli në takim premtoi se do të vazhdoj kursin e përpjekjeve për të gjetur një rrugë komunikimi e dialogu me opozitën, në mënyrë që demokracia parlamentare të mos cenohet dhe vendi të ecë përpara.
“Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë që të shtyhen drejt konfrontimit të rrugës për shkak të mospajtimeve brenda klasës politike”, tha Veseli.
Ai theksoi më tutje se është koha e fundit që Bashkimi Evropian të japë shenja konkrete të shpresës dhe hapa konkret në afrimin e Kosovës me BE-në, sepse nuk janë serbët apo pakicat tjera rreziku i Kosovës, por varfëria dhe izolimi.


