Libri i Aliriza Selmanit “Gjilani – qendër e Anamoravës…” projekt kulmor
Gjilan – Sot, në Gjilan, para një numri të madh intelektualësh, qytetarësh, familjarësh e miqsh, u bë promovimi i monografisë “Gjilani- qendër e Anamoravës…” prej autorit Aliriza Selmanit, profesor.
Fillimisht, Tahir Arifi, moderator, tha se, Aliriza Selmani, profesor, na vjen sot me një monografi të plotë e dokumentare për historinë e gjithanshme të qytetit, Gjilanit me rrethinë.
“Dhe, ajo që na tuboi sot është fakti se, monografia është një dokument shterues për historinë e kësaj qendre të hershme të Anamoravës, e cila qendër po sheh dritën e botimit me ndihmën e zyrës së kryetarit të komunës z. Haziri.
Pastaj, në emër të KK të Gjilanit foli Valentina Bunjaku – Rexhepi, e cila tha se, ky eveniment i rëndësishëm kulturor po na gëzon, për faktin se, njerëzit po shkojnë, por dokumenti po mbetet. “Është ky përurim që po na kthen për ta njohur një të kaluar të këtij qyteti, të cilën e ka përshkruar z. Selmani, të cilën rrugë do të duhej ta vazhdojnë studiuesit të tjerë, të cilët kanë përkrahjen nga komuna që do t`i shpërblejë për punën e tyre në këto fushe të dijes. Uroj që autori të ketë shëndet dhe t’na sjellë edhe libra të tjerë”.
Daut Bislsimi, recensent, në punimin e tij me titull: “Vepër me vlera të shumanshme”, tha se, autori i monografisë në fjalë, Aliriza Selmani, tashmë është i njohur për lexuesit shqiptarë për fushën e dijes së tij historike. “Me veprën në fjalë “Gjilani – qendër administrative nga themelimi e deri në gjysmën e parë të shekullit XX”, vepra e tij vënë në dijeni se kem të bëjmë me një vepër afirmative serioze, e cila bën fjalë për kulturën materiale e shpirtërore të popullatës së Gjilanit me rrethinë gjatë historisë dhe, një anën tjetër, mbush një boshllëk në zhvillimin historik të Gjilanit. Pra, autori në formë të shkruar dhe të ilustruar ka përshkruar qytetin me rrethinë që nga themelimi e deri në shekulli XX”.
Ai tha edhe këtë se, “kjo monografi na ofron informacione të ngjeshura e sintetike, shkurt, saktë e qartë, duke hyrë edhe në imtësi e hollësi të disa fenomeneve. Këtu Aliriza Selmani i hulumton “sendet”, por edhe i trajton, analizon e i studion të gjitha në këndet e tyre sipas të dhënave dhe fenomeneve ekzistuese.
Prandaj, si shtoi ai, – meritë e veçantë e autorit është duke mos mbetur vetëm si një përshkrues i thjeshtë i të dhënave faktografike, ku, aty-këtu bën edhe komente të të dhënave, duke bërë krahasime të thella e të thukta, por edhe objektive sipas dokumenteve. Sa i përket gjuhës, stilit, ai është i qartë, i natyrshëm, i rrjedhshëm, por edhe i bindshëm e përmbajtësor. Këto “sende” autori i ka gërshetuar me mençurinë e urtinë popullore, ku libri lexohet lehtë e këndshëm, e cila, si e tillë, lexuesin e afron dhe i sjellë materie sa interesante, aq edhe të mirëpritura për të gjitha shtresat intelektuale qytetare etj. Gjuha është e pastër dhe e pasur. Fjalët e autorit janë plot me shprehje të përdorura saktë e drejtë. Kjo gjuhë është e qëlluar dhe e “goditur” mirë, ku autori i monografisë e përdor fraza të shkurtra dhe pa frazeologji boshe. Aty nxjerr në pah dhe ven në sheh realitetin e kulluar dhe objektiv për të cilin ka shkruar.
Ai shtoi edhe këtë se, “Aliriza Selmani, profesor, ka hulumtuar arhiva të vendit dhe jashtë dhe, tërë dokumentacionin faktografik lidhur me zhvillimin dhe rriten e qytetit, Gjilanin me rrethinë, e ka sistemuar me kujdes dhe durim. Kjo është një dashuri dhe përkushtim që e ka kurorëzuar me botimin e këtij projekti të tij madhor, monografinë “Gjilani – qendër e Anamoravës…” i cili projekt është i pari me këtë përmbajtje”.
Ndërsa, Adem Murati, profesor i historisë, njëherit autori i disa teksteve tha se, Aliriza Selmani, profesor, gjer më tani ka shkruar disa vepra, kryesisht me karakter historik. “Ky koleg imi, historian, i ka qëndruar besnik kohës së cilës e ka kaluar vitet nëpër “furtuna”, ku edhe vetë ishte pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968, i cili përkrahu kërkesat për Kosovën Republikë etj. Unë shoh tek ky studiues një përkushtim të denjë që nuk rri duarkryq, por herë pas herë na sjellë libra të tillë me rëndësi historike për popullin dhe për kombin tonë. Kjo vepër është një projekt kulmor i tij, e cila në vete ngërthen materie të shumtë për zanafillën e qytetit, Gjilanit, i cili qytet e ka rrënjën e tij nga familja e shquar e kësaj ane, Gjinollëve. Aliriza Selmani është njëri ndër ata historian që ka kontribuar më së shumti në ndriçimin e historisë së Anamoravë, e cila, gjer më tani ishte një fushë fare e pandriçuar. Ky, me këtë vepër ka ndriçuar shumë të dhëna, të cilat flasin e rrëfejnë për Gjilanin si fshat, mandej si qendër e Anamoravës, ku pati shumë monumente historike, kulturore e fusha të tjera të kësaj natyre. Autori, i uroj vepra të tjera të suksesshme e me vlera!
Ndërkaq, Ekrem Gjinolli, profesor i familjes së Gjinollëve tha se, me këtë vepër, sikur po ndriçohet një e kaluar jona, e cila na ka munguar gjer më tani. “Unë mbaj në mend se në Gjilan ka pasur shumë Kulla, saraje, konaqe, të cilat kanë shërbyer për popullatën tonë. Por, nuk janë ruajtur ato, të cilat sot vetëm përmenden dhe pak kanë mbetur si gjurmë kohe. Sot në Gjilan janë vetëm 2-3 shtëpi të vjetra. Të tjerat janë shkatërruar dhe nuk u dihet vendi. Nuk kanë gjurmë as rrugët, të cilat kanë qenë me kalldërm, sot bëhen me kocka e me beton. Do të ishte mirë që ato rrugë si kanë qenë të ruhen dhe të jetë një trashëgimi origjinale, sikur ruhen edhe në disa vende të tjera. Mbaj në mend Urën e Maskatarit, Bajën e “objekte” shumë të çmueshme për kohën, sot”.
Në fund autori, Aliriza Selmani tha se, e kam pak si vështirë të flas për punën time. Por, po e ceku një fjalë popullore që zë vend tek secili shqipfolës: “Njeriu i ka borxh vendlindjes! Vendlindja, sido që është, ajo është vendlindje”. Edhe unë u nisa kësaj “rrugë” së cilës ia pata për borxh një projekt të tillë, të cilin, mendoj, jam munduar të bëj diçka për të lënë gjurmë tek brezi i ardhshëm që po vjen. S’do të thotë se unë e kam shkruar këtë vepër dhe të tjerët t’mos shkruajnë. Përkundrazi! Unë e kam dhënë kontributin tim gjer këtu, por të tjerët le ta vazhdojnë me të tilla projekte. Me rëndësi, të hedhet farë për tokën tonë, në të cilën po jetojmë dhe duhet ta çmojmë dhe ta qojmë përpara. Ju faleminderit për pjesëmarrje! /tefik selimi/rajonipress/


