UBT

Bujanoc: Udhëtimi i “Zajednicës” për në Amerikë?!

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Këshilli Komunal i Bujanocit, në seancën e saj të rregullt, ia dha dritën jeshile kërkesës së kryetarit të komunës, Nagip Arifi, për një udhëtim zyrtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të lobuar për “Zajednicën” e komunave shqiptare në Serbi.

Ky këshill komunal multietnik, nuk e pati vështirë ta miratoj kërkesën e kryetarit Arifi, kurse nuk e pa të udhës, kohë më parë, në Kuvendin Komunal, të miratoj kërkesën e disa këshilltarëve shqiptarë, të paktën të hyjë në rend dite çështjen e “Zajednicës”, për të marrë legjitimitet, krahas asaj, që u votua në Preshevë.

Dritën jeshile, gjithashtu, kryetari Arifi, e mori edhe në mbledhjen e kryesisë së partisë së tij, PD-së, për një udhëtim drejt Amerikës.

Në këtë udhëtim 6 ditorë, për në SHBA, dritën jeshile do ta marrë edhe i pari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa dhe kryetari i Këshillit Nacional, Jonuz Musliu.

Për këta dy të parët, Gipën e Ragën, do të sigurohen vizat e financat e udhëtimit nga buxhetet komunale, apo ndonjë burim anësor financiar nacional, por për Jonuz Musliun, nuk dihet nëse është hequr nga “Lista e zezë e Bushit” dhe se kush mund ta zëvendësoj atë nga radhët e Këshillit Nacional, në këtë udhëtim të shenjtë?!

Për dallim nga ky udhëtim në Amerikë, ai, i Brukselit, ku ka marrë pjesë Jonuz Musliu, është lobuar dhe organizuar nga Beogradi dhe Këshilli i Evropës, në të cilin takim kanë marrë pjesë multi-kulti, kryetarët e pakicave kombëtare në Serbi: hungarezët, boshnjakët, romët, shqiptarët, bullgarët etj.

Po, ta lëmë anash Brukselin e t’i ktheheni Amerikës?!

Uji Dea

Misionarët e “Zajdenicës”, nuk kanë dhënë detaje, se kush e organizon udhëtimin e tyre për në Amerikë, sa është kostoja e këtij udhëtimi, me cilët kongresistë e senatorë do të takohen, cila do të jetë agjenda e takimeve, kush do të përfshihet në ekipin e udhëtimit zyrtarë etj?!

Sa do të ketë kuptim, ky udhëtim zyrtar në Amerikë, nëse në ekip nuk përfshihen deputetet popullorë, shoqëria civile dhe personalitete të shquara shqiptare nga Lugina e Preshevës? Ata, që marrin erë në politikë, një udhëtim të tillë, do ta quanin turistik dhe njohës me shqiptarët përtej Atlantikut.

Atyre, që u ka rënë hise të udhëtojnë në Amerikë, të paktën për një udhëtim javorë, shpenzimet do të kapin lartësinë e një Vize për në Haxh. E misionarët e “Zajednicës”, më mirë me pas shkuar në Meke, do të ishin kthyer me një gradë më shumë në karrierën e tyre jetësore, veç të kryetarit, doktorit edhe të haxhilerit.

Edhe diçka sa për të thënë: nëse ekipi i misionarëve të “Zajednicës”, që dëshirojnë të shkojnë në Amerikë, me mjetet e taksapaguesve të shqiptarëve të Luginës, arrin numrin deri në 8, atëherë harxhimet do të kushtojnë me qindra mijëra euro. Me këto para, këta pushtetarë e misionarë, do të ndihmonin banorët hallexhinj të Luginës, të cilët po e presin një dimër të thatë e të gjatë….

Krejt në fund, Shoqëria Civile “Perspektiva”, mendon se lobimi i “Zajednicës”, jashtë kufijve shtetëror, ku e është themeluar, pa e marrë së paku bekim e faktorëve relevantë shqiptarë, është baras si ajo barcoletës së nisjes së Sylës për në në Bilaç”!/rajonipress/

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc