UBT - Regjistrohu

Pacolli shpërthen me akuza të rënda për Aeroportin e Vlorës: Pretendon se janë përvetësuar mbi 70 milionë euro, kërkon përgjegjësi dhe paralajmëron drejtësinë

Pacolli shpërthen me akuza të rënda për Aeroportin e Vlorës: Pretendon se janë përvetësuar mbi 70 milionë euro, kërkon përgjegjësi dhe paralajmëron drejtësinë

“Patrioti grabitqar në Aeroportin e Vlorës – vetëm plaçkiti, gënjeu dhe kërcënoi. Ai përvetësoi fondet e huaja, nuk investoi asnjë qindarkë!” – me këto fjalë të ashpra, biznesmeni dhe politikani Behgjet Pacolli ka reaguar publikisht lidhur me administrimin e Aeroportit të Vlorës, duke ngritur akuza serioze për keqpërdorim të pretenduar të dhjetëra miliona eurove, manipulim të faturave, fryrje të kostove të punimeve dhe ndërhyrje të paligjshme në administrimin e kompanisë.

Në një reagim të gjatë dhe tejet kritik, Pacolli pretendon se pas rikthimit të administrimit të rregullt të aeroportit kanë dalë në pah dokumente dhe të dhëna financiare që, sipas tij, zbulojnë një skemë të dyshuar për përvetësimin e fondeve, faturime të fryra dhe përdorim të mjeteve financiare të investitorit kryesor pa autorizimin e tij. Ai përmend shifra që, sipas pretendimeve të tij, kalojnë dhjetëra miliona euro, ndërsa paralajmëron se auditimi teknik dhe financiar mund të zbulojë edhe dëme të tjera.

Pacolli e ka vënë në shënjestër të reagimit të tij Valon Ademin, të cilin e akuzon se, përmes kompanisë së tij 2A, ka përfituar nga fondet e kompanisë VIA, pa investuar kapital personal në projekt. Sipas pretendimeve të Pacollit, bëhet fjalë për mbi 40 milionë euro të identifikuara deri më tani, si dhe për kërkesa të tjera përmbarimore që, sipas tij, arrijnë në mbi 16.5 milionë euro.

Fidanishtja

Ai pretendon gjithashtu se janë përdorur mbi 42 milionë euro nga fondet e injektuara si kapital nga Mabco dhe mbi 28 milionë euro nga kreditë e garantuara me kolateralet e kësaj kompanie. Pacolli thotë se këto mjete janë përdorur për pagesën e faturave të kompanisë 2A, pa procedura të mirëfillta tenderimi dhe pa mekanizma të duhur kontrolli.

Një tjetër çështje e rëndë e ngritur në reagim lidhet me koston e ndërtimit të pistës së aeroportit. Sipas Pacollit, projekti fillimisht ishte parashikuar të kushtonte rreth 34 milionë euro, bazuar në dokumentacionin zyrtar të tenderit, ndërsa më pas kostoja, sipas pretendimeve të tij, është rritur në 79.7 milionë euro. Ai e konsideron këtë diferencë prej 45.7 milionë eurosh si një nga elementet që kërkojnë hetim të thelluar.

Pacolli ka ngritur akuza edhe për mënyrën se si është zhvilluar administrimi i kompanisë VIA, duke pretenduar se Mabco-s, e cila sipas tij zotëron 98 për qind të kuotave, i është mohuar kontrolli dhe e drejta e administrimit përmes vendimeve gjyqësore që ai i cilëson të jashtëligjshme. Në këtë kontekst, ai përmend disa gjyqtarë dhe persona që, sipas tij, kanë pasur role në procesin e kontestuar të administrimit.

Në reagimin e tij, Pacolli përmend gjithashtu emrat e Valon Llukës, Vegim Hoxhës, Bujar Ejupit dhe Nebi Luzhës, duke pretenduar se kanë pasur role të ndryshme në skemën e administrimit dhe faturimit të punimeve. Ai i referohet edhe vendimeve të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, të cilat, sipas tij, kanë vënë në pikëpyetje vendimmarrjet e mëhershme lidhur me këtë çështje.

Një pjesë të veçantë të reagimit, Pacolli ia kushton auditimit teknik dhe financiar, për të cilin thotë se po zhvillohet pas rikthimit të administrimit të aeroportit. Sipas tij, dokumentacioni i gjetur në arkivat e VIA-s po nxjerr në pah parregullsi të pretenduara, ndërsa përpjekjet për auditim, sipas Pacollit, janë penguar për rreth një vit.

Ai kërkon që të gjitha pretendimet të hetohen dhe personat përgjegjës, nëse vërtetohen shkeljet, të përballen me drejtësinë. Në fund të reagimit, Pacolli ngre edhe çështjen e kompensimit të dëmeve të pretenduara, duke kërkuar përgjigje se kush do të mbajë përgjegjësi financiare për to.

“Pyetja ngelet, dëmet që janë shkaktuar, kush do t’i kompensojë?”, shkruan Pacolli, duke paralajmëruar se, sipas tij, askush nuk do t’i shpëtojë drejtësisë.

Reagimi i plotë i Behgjet Pacollit
“Patrioti” grabitqar në Aeroportin e Vlorës. Vetëm plaçkiti, gënjeu dhe kërcënoi. Ai përvetësoi fondet e huaja. Ai nuk ka investuar asnjë qindarkë!

Për rreth një vit, VALON ADEMI u vetëshpall publikisht si “mburojë dhe hero i interesit kombëtar”, duke bërë çmos që të merrte nën administrim Aeroportin e Vlorës.

Ai veproi me vetëgjyqësi, i mbështetur nga NJERËZ me NDIKIM që përdorën pushtetin institucional për të mundësuar këtë.

Tani që aeroporti po administrohet në mënyrë të rregullt dhe të civilizuar, dokumentet e lëna pas po nxjerrin në dritë një realitet krejt tjetër nga ai që ai paraqiste publikisht.

Ai fliste për investime, për kuota, fliste dhe vepronte si pronari shpëtimtar i aeroportit, fliste për patriotizëm, ai ofendonte nëpër “media” dhe kërcënonte, por e vërteta është se VALON ADEMI ka grabitur nëpërmjet VIAs paratë e Mabcos mbi 40 milionë EUR (të identifikuara deri më tani dhe mund të dalin edhe më shumë).

Ai nuk është ndalur aty, ai ka falsifikuar edhe fatura me të cilat ka kërkuar urdhër përmbarimor mbi 16.5 milionë EUR gjithmonë për shoqërinë e tij 2A dhe patrioti ka lënë mbrapa llogaritë e bllokuara.

Ai inkasoi, me vetëgjyqësi, pa dijeninë dhe lejen e Mabcos, pronarit të 98% të kuotave, mbi 42 milionë euro nga paratë CASH që Mabco kishte injektuar si kapital dhe mbi 28 milionë euro nga kredia e garantuar me kolateralet e Mabcos.

Ai, këto mjete i grabiti për të paguar faturat e fryra në kompaninë e tij 2A, PA INVESTUAR asnjë qindarkë të tij!!!

Ai shfrytëzoi të gjitha ato para që nuk ishin të tij për të paguar punën e kompanisë së tij, pa asnjë mundësi kontrolli, pra punë pa tenderim me çmime të vetëpërcaktuara.

VALON LLUKA dhe më vonë administratorët e tij ilegalë VEGIM HOXHA dhe BUJAR EJUPI, me nënshkrimin e inxhinierit po ashtu që e kishte vendosur vetë NEBI LUZHA (ky i fundit i akuzuar për mashtrime në Kosovë, madje në një rast i involvuar pikërisht me 2A Group).

Ai, duke përdorur dhunën, arrogancën dhe njerëzit e fortë të institucioneve, privuan Mabco-n, ortakun që zotëron 98% të kuotave, nga kontrolli dhe administrimi i VIA-s, dhe këtë ua mundësuan gjyqtarët FATMIR NDREU, MARIANA SHEGANI, ALMA KOLGJOKA, ORNELA NAQELLARI, MARSELA DERVISHI DHE MIRANDA NAKAJ. Vendimmarrjen për privimin e Mabco-s e merrnin në dhoma këshillimi, pa praninë e Mabco-s, pa e respektuar parimin e kontradiktorialitetit, mirëpo fatmirësisht Gjykata e Lartë e Shqipërisë ua dha një goditje të fuqishme padrejtësive!

“Patrioti” shfrytëzoi vendimet e jashtëligjshme të gjykatësve të lartpërmendur për të emëruar ilegalisht një të ashtuquajtur administrator i cili do t’ia nënshkruante faturat sipas vullnetit të tij, por i duhej edhe një “Drejtor Teknik” që nënshkruante, dhe ku më mirë se bashkëpunëtori i tij NEBI LUZHA (i akuzuar 2 herë për mashtrime të tilla në Kosovë), për t’ia nënshkruar situacionet fiktive në VIA ashtu siç ka bërë pikërisht për VALON ADEMI-n në projektin e autostradës së Gjilanit? Në fund, skema kulmohej nga angazhimi i BUJAR EJUPI si “Drejtor Financiar” i cili u shkarkua nga AAC Kosovare pas gjetjes së KFOR-it dhe ekspertëve austriakë.

Pra, figura kriminele për veprime kriminele.

Më herët, VALON ADEMI kishte shfrytëzuar VALON LLUKËN për të fryrë artificialisht çmimin e punimeve në pistë, e cila ishte parashikuar në rreth 34 milionë EUR, sipas dosjes zyrtare të tenderit, dhe e çoi në favor të VALON ADEMI-t deri në 79.7 milionë EUR. Po, e rritën artificialisht çmimin sipas dëshirës dhe oreksit të tyre për 45.7 milionë EUR!! Investim thoshte, kjo nuk quhet ndryshe përveç se PLAÇKITJE.

Ajo çfarë kemi gjetur në arkivat e VIA-s nga rimarrja e administrimit është absurde. Që një vit kemi kërkuar edhe ndihmën institucionale për të bërë një auditim, pikërisht për të evituar këtë situatë. U munduan që një vit t’i ikin dhe t’i shmangen këtij auditimi, por kësaj radhe nuk i ikin dot.

Pyetja ngelet, dëmet që janë shkaktuar, kush do t’i kompensojë?

Auditimi tekniko-financiar është duke nxjerrë në pah të gjitha, si dhe planin mashtrues të VALON LLUKËS që kishte kurdisur që nga fillimi i vitit 2022, që synonte të kulmonte në fillim të vitit 2025. Askush nuk do t’i shpëtojë drejtësisë!/Bp/.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.