Kamenicë: Largohen kontejnerët e mbeturinave nga Parku i Qytetit, synohet përmirësimi i pastërtisë dhe pamjes urbane
Kamenicë – Komuna e Kamenicës ka ndërmarrë veprime për largimin e kontejnerëve të mbeturinave nga Parku i Qytetit dhe disa zona të tjera, me qëllim të krijimit të një ambienti më të pastër dhe përmirësimit të pamjes së hapësirave publike.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Ambient, Inspektorat dhe Emergjenca, Zotrim Kastrati, i cili ka njoftuar se ndërhyrjet janë pjesë e angazhimeve për një menaxhim më të mirë të hapësirave publike dhe mbeturinave në qytet.
Sipas Kastratit, largimi i kontejnerëve nga Parku i Qytetit dhe lokacionet e tjera është ndërmarrë për të shmangur ndikimin negativ të tyre në pamjen dhe rregullimin e ambientit urban.
“Me qëllim të krijimit të një ambienti më të pastër dhe më të rregullt, në kuadër të Drejtorisë kemi ndërmarrë veprime për largimin e kontejnerëve nga Parku i Qytetit, si dhe nga zona të tjera që ndikojnë në pamjen e përgjithshme të qytetit”, ka deklaruar Kastrati.
Në kuadër të këtyre angazhimeve, drejtoria ka kërkuar edhe nga kompania për menaxhimin e mbeturinave “Eco-Higjiena” që të bëjë ndarjen e kontejnerëve për mbeturinat e ekonomive familjare nga ata që shfrytëzohen nga bizneset.
Ky organizim synon të lehtësojë grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave, si dhe të rrisë efikasitetin e shërbimeve të pastrimit në Kamenicë.
Megjithatë, zbatimi i këtyre masave dhe mirëmbajtja e vazhdueshme e hapësirave publike mbeten të rëndësishme për ruajtjen e një ambienti të pastër dhe funksional për qytetarët./rajonipress/

