Policia dhe Spitali i Gjilanit forcojnë bashkëpunimin për reagim më efikas në raste emergjente
Gjilan – Avancimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, koordinimi në situata emergjente dhe rritja e efikasitetit në mbrojtjen e jetës së qytetarëve ishin në fokus të një takimi pune ndërmjet Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, nënkolonel Luan Keka, dhe Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Afrim Cana.
Në këtë takim, të zhvilluar në mes të dy institucioneve, morën pjesë edhe pjesëtarë të stafit të Policisë Rajonale dhe përfaqësues të ekipit drejtues të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit.
Gjatë diskutimeve, vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për thellimin e koordinimit institucional, me synimin që reagimi në raste emergjente të jetë sa më i shpejtë dhe efikas. Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e shkëmbimit të menjëhershëm të informatave, komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet zyrtarëve policorë dhe ekipeve mjekësore, si dhe koordinimit të veprimeve në terren, aty ku kërkohet ndërhyrja e përbashkët.
Me këtë rast, nënkolonel Luan Keka shprehu mirënjohje për Dr. Afrim Canën dhe stafin e Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Policisë, veçanërisht në realizimin e kontrolleve sistematike shëndetësore për personelin policor dhe ekzaminimeve mjekësore për kandidatët gjatë proceseve të rekrutimit.
Të dy drejtuesit vlerësuan rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë publike, mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe ofrimin e mbështetjes së ndërsjellë për personelin policor dhe atë shëndetësor.
Në përmbyllje të takimit, në shenjë vlerësimi për bashkëpunimin ndërinstitucional, Dr. Afrim Cana i ndau një mirënjohje drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, nënkolonel Luan Keka.
Takimi riafirmoi rëndësinë e partneritetit ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe atyre shëndetësore, si një mekanizëm i domosdoshëm për reagim të koordinuar, shërbime më efikase dhe mbrojtje më të mirë të interesit publik./rajonipress/

