Festivali „Moisiu” në Shkup, një pasqyrë e teatrit bashkëkohor shqiptar dhe sfidave të tij estetike e shoqërore
Nga Shemsi Doda kritik i artit – Një panoramë e teatrit bashkëkohor shqiptar: kërkimi estetik, përgjegjësia shoqërore dhe sfidat e gjuhës skenike.
Festivali i Teatrit Shqiptar „Moisiu”, i organizuar në Shkup, përfaqëson një ngjarje të rëndësishme në jetën kulturore dhe teatrale shqiptare. Përtej prezantimit të produksioneve të teatrove të ndryshme, ky festival krijon një hapësirë komunikimi artistik, shkëmbimi përvojash dhe ballafaqimi të qasjeve të ndryshme dramaturgjike e regjisoriale.
Ajo që e bën të rëndësishëm një festival teatror nuk është vetëm numri i shfaqjeve apo emrat e aktorëve që ngjiten në skenë, por mundësia për të krijuar një pasqyrë të gjendjes së teatrit, të prirjeve estetike, të kërkimeve artistike dhe të marrëdhënies së tij me realitetin shoqëror. Në këtë kuptim, „Moisiu” ofroi një panoramë interesante të teatrit shqiptar, me vepra klasike dhe bashkëkohore, me drama psikologjike, tragjedi, komedi dhe produksione që synojnë të ndërtojnë komunikim të drejtpërdrejtë me publikun.
Programi dëshmoi për një teatër që nuk kufizohet vetëm në rrëfimin e historive, por kërkon të trajtojë dilemat morale, traumat kolektive, konfliktet familjare, marrëdhëniet njerëzore, identitetin, kujtesën dhe përgjegjësinë individuale e shoqërore.
- Dramaturgjia dhe tematika – teatri si pasqyrë e njeriut dhe e shoqërisë
Një nga karakteristikat më të rëndësishme të festivalit ishte larmia tematike dhe dramaturgjike e veprave të prezantuara.
„Drejtësia në Nürnberg”, sipas Abby Mann-it, trajtoi një nga çështjet më të rëndësishme të ndërgjegjes njerëzore: përgjegjësinë individuale përballë një sistemi që e institucionalizon padrejtësinë. Përmes gjyqit historik të Nürnbergut, vepra shndërrohet në një paralajmërim universal për rrezikun e heshtjes, konformizmit dhe nënshtrimit ndaj pushtetit.
„Amour”, sipas Michael Haneke-s, e zhvendosi vëmendjen drejt dimensionit intim të ekzistencës njerëzore. Plakja, sëmundja, vuajtja dhe dinjiteti njerëzor u trajtuan përmes një historie që e vendos dashurinë përballë kufijve të pafuqisë njerëzore. Ishte një reflektim mbi përkujdesjen, përgjegjësinë dhe mënyrën se si shoqëria i trajton njerëzit në momentet e tyre më të brishta.
Në „Pylli” të Florian Zeller-it, konflikti psikologjik dhe shpërbërja e realitetit subjektiv u bënë boshti i rrëfimit. Vepra e vendosi spektatorin përballë pasigurisë së perceptimit, duke e bërë të vështirë dallimin ndërmjet realitetit, iluzionit, fajit dhe projeksionit mendor.
„Sytë e Ujkut” e Doruntina Bashës sollën një nga temat më të ndjeshme të kujtesës sonë kolektive: traumën e luftës dhe trashëgiminë e saj ndërbreznore. Përmes tri brezave të grave, shfaqja trajtoi dhunën seksuale, heshtjen, kujtesën dhe plagët që vazhdojnë të jetojnë përtej përfundimit të luftës.
Ndërkaq, „Duke pritur Godonë” e Samuel Beckett-it, në adaptimin dhe regjinë e Qëndrim Rijanit, ofroi një lexim të veçantë politik të absurdit. Pritja ekzistenciale e Beckett-it u shndërrua në metaforë të pritjes kolektive të shqiptarëve në Maqedoni, të aspiratave, kërkesave dhe përpjekjeve të tyre për barazi dhe dinjitet.
„Hamleti” dhe „Romeo dhe Zhulieta” të William Shakespeare-it dëshmuan se dramaturgjia klasike vazhdon të jetë një burim i pashtershëm interpretimesh. Ndërsa „Hamleti” u përball me sfidën e gjetjes së ekuilibrit ndërmjet formës bashkëkohore dhe thellësisë psikologjike të tekstit, „Romeo dhe Zhulieta” ofroi një lexim dinamik, ku gjuha moderne skenike u ndërthur me universalitetin e konfliktit njerëzor.
„Magjistari i Ozit”, sipas L. Frank Baum-it, solli një dimension tjetër të teatrit: imagjinatën, fantazinë, lojën, muzikën dhe komunikimin me publikun e moshave të ndryshme. Përmes një universi skenik plot ngjyra dhe energji, shfaqja dëshmoi rëndësinë e teatrit si hapësirë edukimi, argëtimi dhe zhvillimi emocional.
Komedia „Jo simfonia e pestë, por e nënta – Mytma burrin” e Aldo Nicolaj-t trajtoi marrëdhëniet bashkëshortore, manipulimin, interesin dhe hipokrizinë njerëzore përmes groteskut dhe humorit të zi.
Ndërsa „Përtej hekurave” e Naser Shatrollit, përmes figurës së Ukshin Hotit dhe dialogut të konceptuar me Ismail Kadarenë, solli një dimension historik, patriotik dhe politik, duke nxitur reflektim mbi lirinë, qëndresën dhe fatin e intelektualit përballë dhunës politike.
Kjo shumëllojshmëri dëshmon se festivali nuk u kufizua në një drejtim të vetëm estetik apo tematik. Përkundrazi, ai krijoi një hapësirë ku bashkëjetuan realizmi psikologjik, teatri simbolik, absurdi, ekspresionizmi, tragjedia klasike, komedia dhe teatri me orientim shoqëror.
- Regjia – ndërmjet leximit bashkëkohor dhe kërkimit të identitetit skenik
Një nga aspektet më interesante të festivalit ishte mënyra se si regjisorët iu qasën teksteve dramatike dhe përpjekja për t’i zhvendosur ato në kontekste të reja kohore, shoqërore dhe estetike.
Në disa produksione, koncepti regjisorial ishte i qartë dhe krijonte një marrëdhënie organike ndërmjet tekstit, aktorit dhe hapësirës skenike.
Kjo u vërejt veçanërisht te „Romeo dhe Zhulieta”, ku Ilir Bokshi ndërtoi një univers dinamik, të mbështetur në një ansambël të madh, lëvizje, këngë, vallëzim dhe projeksione video. Regjia arriti ta ruajë thelbin tragjik të veprës, duke i dhënë një frymë bashkëkohore dhe duke krijuar një komunikim të fuqishëm me publikun.
Edhe Kushtrim Bekteshi, me „Magjistarin e Ozit”, dëshmoi aftësi për të ndërtuar një spektakël të plotë skenik, ku elementet e aktrimit, muzikës, vallëzimit, kostumografisë dhe vizualitetit funksionuan si pjesë të një tërësie të harmonizuar.
Në „Sytë e Ujkut”, regjia e Kushtrim Koliqit u mbështet në përmbajtje, heshtje, tension të brendshëm dhe një mizanskenë të matur, duke i dhënë hapësirë të veçantë aktores dhe gjendjes psikologjike të personazheve.
Qëndrim Rijani, në „Duke pritur Godonë”, ndërmori një interpretim të guximshëm të Beckett-it, duke e shndërruar absurditetin ekzistencial në një metaforë të historisë dhe realitetit politik të shqiptarëve në Maqedoni. Kjo qasje dëshmoi se teksti klasik mund të bëhet instrument i reflektimit mbi aktualitetin, pa humbur domosdoshmërisht lidhjen me filozofinë e tij burimore.
Nga ana tjetër, „Hamleti” i Jonida Beqo-s tregoi se modernizimi vizual i një vepre klasike nuk garanton vetvetiu thellësi interpretative. Koncepti skenik ishte interesant në aspektin estetik, por jo gjithmonë arriti të krijojë ekuilibrin e nevojshëm ndërmjet imazhit, fjalës dhe konfliktit psikologjik.
Një vërejtje e tillë është e rëndësishme për teatrin bashkëkohor: eksperimentimi regjisorial është i domosdoshëm, por ai duhet të lindë nga thelbi i veprës dhe jo të mbetet vetëm në nivelin e zgjidhjeve vizuale.
Teatri nuk është vetëm imazh. Ai është, para së gjithash, konflikt, veprim, marrëdhënie dhe përjetim njerëzor.
- Aktrimi – forca e ansamblit dhe individualiteti interpretues
Aktrimi ishte një nga shtyllat kryesore të festivalit. Në produksionet e prezantuara u vërejtën qasje të ndryshme interpretative, duke filluar nga aktrimi psikologjik dhe realist, deri te format më ekspresive, fizike dhe simbolike.
Një nga aspektet pozitive ishte prania e aktorëve me përvojë dhe e një brezi më të ri interpretuesish. Ky ndërthurim krijoi mundësi për shkëmbim energjish, përvojash dhe mënyrash të ndryshme të ndërtimit të figurës skenike.
Në „Amour”, interpretimet u karakterizuan nga përmbajtja, ndjeshmëria dhe kontrolli emocional. Aktorët arritën ta ndërtojnë dramën përmes nuancave të vogla, gjuhës së trupit dhe intensitetit të brendshëm, pa rënë në sentimentalizëm të tepruar.
Në „Sytë e Ujkut”, interpretimi i Edona Reshitajt spikati për ekspresivitetin, fuqinë e gjuhës trupore dhe aftësinë për të përcjellë një traumë të thellë përmes mjeteve të kontrolluara aktoriale.
Në „Mytma burrin”, Fitore Jashari ndërtoi një personazh me finesë, siguri dhe precizitet interpretues, ndërsa Valon Nuhiu solli spontanitet dhe ekspresivitet në karakterizimin e Brunos.
Te „Romeo dhe Zhulieta”, forca kryesore qëndronte te funksionimi kolektiv i ansamblit. Një trupë prej 25 aktorësh arriti të ndërtojë një tërësi kompakte, ku lëvizja, këndimi dhe vallëzimi ishin pjesë organike e veprimit skenik.
Edhe „Magjistari i Ozit” dëshmoi rëndësinë e lojës ansambël. Energjia, disiplina dhe bashkëveprimi i aktorëve krijuan një spektakël ku nuk ishte e nevojshme të veçohej një interpretues i vetëm, sepse suksesi buronte nga harmonizimi i të gjithëve.
Megjithatë, në disa produksione u vunë re edhe mangësi në artikulimin e fjalës, në ndërtimin e intensitetit dramatik dhe në ruajtjen e organikës së interpretimit. Në disa raste, fjala anon nga deklamimi, ndërsa veprimi nuk e mbështet gjithmonë peshën emocionale të tekstit.
Kjo ngre një çështje thelbësore për teatrin shqiptar: nevojën për një punë të vazhdueshme me aktorin, veçanërisht në raport me teknikën vokale, diksionin, artikulimin, plastikën trupore dhe ndërtimin psikologjik të personazhit.
Aktrimi bashkëkohor nuk nënkupton vetëm liri fizike apo ekspresivitet të shtuar. Ai kërkon vetëdije të plotë mbi mjetet shprehëse dhe aftësi për t’i përdorur ato në funksion të së vërtetës skenike.
- Skenografia, kostumografia, muzika dhe ndriçimi – rëndësia e gjuhës vizuale
Në përgjithësi, produksionet e festivalit dëshmuan për një vëmendje të konsiderueshme ndaj komponentëve vizualë dhe teknikë të shfaqjes.
Skenografia nuk u përdor vetëm si sfond dekorativ, por në disa raste u shndërrua në element dramaturgjik, duke ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si zhvillohej veprimi dhe perceptohej drama.
Te „Pylli”, hapësira e lëvizshme dhe transformimet skenike krijuan një botë të paqëndrueshme, në përputhje me gjendjen psikologjike të personazheve.
Te „Duke pritur Godonë”, skenografia e Valentin Svetozarevit u mbështet në simbole me ngarkesë politike dhe shoqërore, duke e zgjeruar kuptimin e tekstit përtej absurditetit ekzistencial.
Te „Romeo dhe Zhulieta”, minimalizmi skenografik dhe përdorimi i projeksioneve video krijuan mundësi për ndryshime të shpejta të hapësirave dhe për ruajtjen e ritmit të veprimit.
Ndërsa te „Magjistari i Ozit”, kombinimi i elementeve fizike skenike me videoprojektimet krijoi një botë imagjinative dhe dinamike, duke dëshmuar se teknologjia, kur përdoret me masë dhe në funksion të dramaturgjisë, mund ta pasurojë ndjeshëm gjuhën teatrale.
Kostumografia, në përgjithësi, kontribuoi në identifikimin e personazheve, në përcaktimin e statusit të tyre dhe në krijimin e identitetit estetik të produksioneve.
Muzika dhe ndriçimi ishin gjithashtu komponentë të rëndësishëm të komunikimit skenik. Veçanërisht te „Amour”, ekzekutimi live i muzikës krijoi një dimension të veçantë emocional, ndërsa te „Romeo dhe Zhulieta” dhe „Magjistari i Ozit”, muzika, kënga dhe vallëzimi u shndërruan në pjesë organike të rrëfimit.
Megjithatë, festivali tregoi edhe se jo çdo element teknik, sado tërheqës të jetë në vetvete, krijon automatikisht vlerë artistike. Projeksioni, muzika, ndriçimi dhe efektet skenike duhet të kenë funksion dramaturgjik dhe të mos përdoren vetëm për të shtuar atraktivitetin vizual.
Në këtë drejtim, sfida e teatrit bashkëkohor është krijimi i një gjuhe skenike ku të gjithë komponentët komunikojnë ndërmjet tyre dhe i shërbejnë të njëjtit koncept artistik.
- Raporti me publikun – komunikimi si kriter i rëndësishëm artistik
Një element që meriton vëmendje të veçantë është edhe reagimi i publikut shkupjan.
Shfaqjet u ndoqën me interes dhe në disa raste u shoqëruan me duartrokitje të gjata dhe ovacione. Ky reagim dëshmon se publiku shqiptar në Shkup ka interes për teatrin dhe është i gatshëm të përballet me forma, tema dhe qasje të ndryshme artistike.
Veçanërisht produksionet „Amour”, „Sytë e Ujkut”, „Magjistari i Ozit” dhe „Romeo dhe Zhulieta” krijuan komunikim të drejtpërdrejtë emocional me sallën.
Por marrëdhënia ndërmjet skenës dhe publikut nuk duhet matur vetëm me intensitetin e duartrokitjeve. Një shfaqje e rëndësishme është edhe ajo që krijon shqetësim, që ngre pyetje, që sfidon perceptimin dhe që nuk e lë spektatorin indiferent.
Në këtë kuptim, suksesi i një festivali nuk qëndron vetëm te pritja e ngrohtë e publikut, por edhe te aftësia e tij për të nxitur një kulturë më të thellë teatrale dhe një komunikim kritik ndërmjet artistëve dhe spektatorëve.
- Përfundime dhe vlerësim i përgjithshëm i festivalit
Duke i parë produksionet në tërësi, mund të konstatohet se Festivali i Teatrit Shqiptar „Moisiu” në Shkup ofroi një panoramë të larmishme të krijimtarisë teatrore shqiptare, duke sjellë në një hapësirë të përbashkët teatro, regjisorë, aktorë dhe qasje të ndryshme artistike nga disa qendra teatrore shqiptare.
Vlera e tij kryesore qëndron në faktin se krijoi mundësinë për të parë se ku ndodhet sot teatri shqiptar, cilat janë prirjet e tij estetike, cilat tema e shqetësojnë dhe çfarë kërkon të komunikojë me shoqërinë.
Nga kjo panoramë mund të nxirren disa përfundime të rëndësishme.
Së pari, teatri shqiptar dëshmon një interes të shtuar për aktualizimin e dramaturgjisë klasike dhe bashkëkohore. Tekstet e Shekspirit, Beckett-it, Baum-it dhe autorëve të tjerë nuk trajtohen vetëm si trashëgimi letrare, por si materiale të gjalla që mund të komunikojnë me realitetin e sotëm.
Së dyti, temat e identitetit, kujtesës, traumës dhe përgjegjësisë shoqërore mbeten thelbësore për teatrin shqiptar. Kjo u dëshmua veçanërisht në „Sytë e Ujkut”, „Drejtësia në Nürnberg” dhe „Duke pritur Godonë”. Teatri vazhdon të jetë një hapësirë ku historia nuk kujtohet vetëm, por rishqyrtohet dhe vihet në diskutim.
Së treti, vërehet një zhvillim i dukshëm i gjuhës vizuale dhe i kërkimit regjisorial. Skenografia moderne, projeksionet, muzika, ndriçimi dhe format e ndryshme të lëvizjes skenike po zënë gjithnjë e më shumë vend në ndërtimin e shfaqjeve. Megjithatë, ky zhvillim duhet të shoqërohet me një thellim të punës dramaturgjike dhe aktoriale, në mënyrë që forma të mos mbizotërojë mbi përmbajtjen.
Së katërti, aktori mbetet faktori vendimtar i suksesit të një shfaqjeje. Pavarësisht teknologjisë, skenografisë dhe koncepteve regjisoriale, teatri e fiton kuptimin e plotë vetëm kur fjala, trupi dhe emocioni i aktorit krijojnë një të vërtetë që arrin te spektatori. Për këtë arsye, investimi në formimin profesional, në edukimin vokal dhe në kërkimin interpretues duhet të jetë një nga prioritetet e teatrove tona.
Së pesti, festivali dëshmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve teatrore shqiptare. Prania e produksioneve nga Prishtina, Tirana, Tetova, Prizreni, Fieri, Kumanova dhe qendra të tjera krijon mundësi për një komunikim kulturor që tejkalon kufijtë administrativë dhe institucionalë.
Megjithatë, një festival nuk duhet të jetë vetëm një pasqyrë e produksioneve të realizuara gjatë vitit. Ai duhet të jetë edhe një hapësirë reflektimi, debati dhe vlerësimi profesional. Për këtë arsye, do të ishte me rëndësi që në edicionet e ardhshme të forcohej komponenti kritik dhe teorik përmes tryezave profesionale, diskutimeve me regjisorët, dramaturgët dhe aktorët, si dhe debateve mbi zhvillimet e teatrit bashkëkohor.
Një festival i tillë fiton më shumë peshë kur shfaqja nuk përfundon me duartrokitjen e fundit, por vazhdon të jetojë përmes diskutimit, analizës dhe ballafaqimit të mendimeve.
- „Moisiu” – më shumë se një festival, një nevojë kulturore
Në fund, Festivali i Teatrit Shqiptar „Moisiu” duhet parë si një kontribut i rëndësishëm në përpjekjen për të ndërtuar një hapësirë të përbashkët teatrore shqiptare.
Në një kohë kur shoqëritë tona përballen me kriza identitare, politike, morale dhe sociale, teatri vazhdon të ketë një rol të pazëvendësueshëm: të vërë në pikëpyetje atë që duket e zakonshme, të nxjerrë në pah atë që shpesh mbetet e fshehur dhe të krijojë mundësi për ta parë realitetin nga këndvështrime të tjera.
Shfaqjet e këtij festivali, secila në mënyrën e vet, na kujtuan se drejtësia nuk mund të ekzistojë pa përgjegjësi, dashuria pa përkushtim, liria pa guxim, kujtesa pa ndërgjegjësim dhe arti pa kërkim të vazhdueshëm.
Natyrisht, jo të gjitha produksionet arritën të njëjtin nivel artistik dhe jo çdo koncept regjisorial u realizua me të njëjtën shkallë të koherencës dramaturgjike. Por pikërisht kjo larmi vlerash, kërkimesh, suksesesh dhe kufizimesh e bën të domosdoshëm një festival: ai nuk duhet të jetë vetëm vitrinë e arritjeve, por edhe hapësirë ku identifikohen sfidat dhe përcaktohen drejtimet e zhvillimit.
Vlerësimi im përfundimtar është se „Moisiu” dëshmoi se teatri shqiptar ka energji krijuese, aktorë të përkushtuar, regjisorë me ambicie estetike dhe institucione që vazhdojnë të prodhojnë vepra me interes artistik e shoqëror. Por, mbi të gjitha, dëshmoi se ekziston nevoja për ta forcuar komunikimin, bashkëpunimin dhe standardin profesional të teatrit shqiptar në të gjitha hapësirat ku ai krijohet.
Sepse teatri nuk është vetëm ajo që ndodh mbi skenë. Ai është edhe ajo që ndodh brenda nesh pasi dalim nga salla.
Dhe nëse një shfaqje arrin të na bëjë të mendojmë, të dyshojmë, të ndiejmë dhe të rishqyrtojmë marrëdhënien tonë me njeriun dhe shoqërinë, atëherë ajo e ka përmbushur një nga misionet më të rëndësishme të artit.
„Moisiu” duhet të vazhdojë. Jo vetëm si festival i shfaqjeve teatrore, por si një pikë takimi e mendimit, krijimtarisë dhe identitetit kulturor shqiptar.
Sepse një teatër që reflekton mbi shoqërinë është një shoqëri që ende nuk ka hequr dorë nga aftësia për të menduar, për të ndier dhe për të ndryshuar./rajonipress/

