Postimi i Kadri Rahimajt për fushën sportive në Petrit nxit reagime në rrjetet sociale, qytetarët kritikojnë projektin
Kamenicë – Një postim i kryetarit të Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, lidhur me transformimin e fushës sportive në fshatin Petrit, ka nxitur reagime dhe komente kritike nga disa qytetarë në rrjetet sociale.
Rahimaj, përmes një publikimi, e ka cilësuar projektin si një transformim rrënjësor të hapësirës sportive, duke theksuar se investimi ka ardhur si rezultat i një kërkese të banorëve dhe se do t’u shërbejë shkollës dhe të rinjve të fshatit.
Sipas postimit të tij, projekti përfshin terrene sportive, tribuna, parkingje dhe kënd lojërash për fëmijë. Kryetari ka vlerësuar se investimet e tilla nuk përfaqësojnë vetëm infrastrukturë, por edhe mundësi të reja për fëmijët dhe të rinjtë që të zhvillojnë talentin dhe të kultivojnë frymën sportive.
Megjithatë, publikimi i tij ka marrë edhe komente kritike nga qytetarë, të cilët kanë shprehur pakënaqësi lidhur me mënyrën e realizimit të projektit, materialin e përdorur për fushën sportive dhe mungesën e disa elementeve infrastrukturore.
Qytetari Dionis Mirena ka vënë në pikëpyetje cilësinë e hapësirës sportive, duke kritikuar faktin se fusha është e asfaltuar dhe duke e krahasuar atë me standardet e terreneve sportive në vendet jashtë Kosovës.
“Fushë e sportit? Asfalt edhe do vija të bardha po shihen. A dilni jashtë Kosovës me kqyrë çka është një fushë sportive? Pa shije, dobët, të të vijë keq!”, ka shkruar Mirena në koment.
Ndërkaq, Besnik A. Behluli ka kritikuar mungesën e komunikimit të kryetarit me qytetarët në rrjetet sociale, duke kërkuar që ai t’u përgjigjet pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre.
“Kryetar, ish kon mirë najherë me iu përgjigj komenteve në Facebook me reply, nëse pyet najkush naj sen”, ka komentuar Behluli.
Edhe Ismail Kastrati ka ngritur shqetësime lidhur me infrastrukturën dhe sigurinë e fëmijëve që do ta shfrytëzojnë këtë hapësirë sportive. Ai ka përmendur mungesën e ujësjellësit dhe ka vënë në diskutim përshtatshmërinë e asfaltit si sipërfaqe për aktivitete sportive.
“Vetëm se ujësjellësi mungon? Fusha me asfalt do të ketë lëndime te fëmijët, ndoshta ka qenë më mirë fusha me gomë që të mos ketë lëndime”, ka shkruar Kastrati.
Reagimet e qytetarëve tregojnë se, përveç realizimit të investimeve infrastrukturore, rëndësi të veçantë ka edhe cilësia e projekteve, përshtatshmëria e tyre për përdoruesit dhe siguria e fëmijëve e të rinjve.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, në materialin e paraqitur nuk ka një përgjigje të kryetarit Rahimaj ndaj kritikave të qytetarëve. Ndërkohë, mbetet të shihet nëse shqetësimet e ngritura do të marrin përgjigje nga institucionet komunale./rajonipress/

