Dardanapress organizon vizitë me të rinjtë në institucionet publike dhe bizneset lokale të Kamenicës
Kamenicë – Të rinjtë njihen nga afër me mundësitë e punësimit, zhvillimit profesional dhe ndërmarrësisë në kuadër të një vizite të organizuar nga OJQ Dardanapress.
Organizata Joqeveritare Dardanapress ka organizuar një vizitë me të rinjtë në institucionet publike dhe bizneset lokale të Komunës së Kamenicës, në kuadër të projektit “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës”.
Kjo vizitë kishte për qëllim njohjen e të rinjve me funksionimin e institucioneve publike dhe veprimtarinë e bizneseve lokale, duke i informuar njëkohësisht për mundësitë e punësimit, zhvillimit profesional dhe ndërmarrësisë.
Gjatë vizitës, të rinjtë u pritën nga drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Edon Dërmaku, i cili i njoftoi ata me potencialet ekonomike të Kamenicës, mundësitë për zhvillim të turizmit lokal dhe rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në iniciativa që kontribuojnë në zhvillimin e komunës.
Dërmaku prezantoi gjithashtu materiale promovuese për pasuritë natyrore dhe kulturore të Kamenicës, përfshirë broshura dhe fletëpalosje me informacione për shtigjet e ecjes, atraksionet natyrore, trashëgiminë kulturore dhe aktivitetet që promovojnë turizmin lokal.
Përveç Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, të rinjtë vizituan edhe drejtoritë e tjera komunale, si dhe disa biznese lokale. Përmes këtyre takimeve, ata patën mundësi të njihen nga afër me mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe bizneseve, si dhe me mundësitë dhe sfidat që karakterizojnë sektorin publik dhe atë privat.
Përmes kësaj nisme, Dardanapress synon të afrojë të rinjtë me institucionet dhe sektorin privat, të rrisë informimin e tyre mbi mundësitë që ofron komuna dhe të nxisë pjesëmarrjen aktive të tyre në proceset e zhvillimit socio-ekonomik.
Projekti “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës” është financuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal./rajonipress/


