Sara Shehu, gazetaria si pasion dhe mision publik – rrugëtimi i një zëri që sjell historitë e njerëzve në ekran
Gjilan – Për Sara Shehun, gazetaria nuk ishte thjesht një zgjedhje profesionale, por një pasion që nisi herët dhe vazhdon ta motivojë edhe sot. E tërhequr nga komunikimi me publikun dhe e motivuar nga dëshira për t’u ardhur në ndihmë njerëzve përmes raportimeve, ajo e ndërtoi rrugëtimin e saj profesional duke kaluar nga bankat universitare në redaksi dhe më pas në terrenin ku zhvillohen ngjarjet që kërkojnë vëmendjen e publikut.
Me një formim akademik të ndërtuar mbi njohuritë profesionale dhe një përvojë të fituar në terrenin dinamik të gazetarisë, Sara Shehu po dëshmon se talenti, zgjuarsia dhe përkushtimi janë elemente thelbësore në ndërtimin e një gazetareje të zonja.
Studimet themelore në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT i dhanë asaj bazën e nevojshme teorike dhe profesionale, ndërsa angazhimi i vazhdueshëm në redaksi dhe raportimet nga terreni i mundësuan që këto njohuri t’i shndërrojë në aftësi konkrete. Me shkathtësi në ndjekjen e ngjarjeve, vëmendje ndaj detajeve dhe guxim për të kërkuar të vërtetën, Sara ka ndërtuar një profil gazetaresk që e karakterizon dinamika, përgjegjësia dhe afërsia me qytetarët.
“E kam dashur këtë profesion dhe vazhdoj ta dua akoma, sepse më ka pëlqyer puna me publikun dhe dëshira që t’i ndihmoj njerëzit përmes kronikave të mia”, ka deklaruar Sara Shehu, duke përmbledhur në pak fjalë motivin që e ka shoqëruar përgjatë rrugëtimit të saj në gazetari.
Për të, gazetaria nuk përfundon te përcjellja e një informacioni apo raportimi i një ngjarjeje. Ajo merr kuptim të veçantë kur përmes një kronike arrin të nxjerrë në pah një shqetësim, të dëgjojë një zë që ka mbetur pa u dëgjuar dhe të vendosë në vëmendjen publike çështje që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Nga pasioni te formimi profesional
Rrugëtimi profesional i gazetares Sara Shehu nisi në televizionin ATV, ku për tri vite me radhë zhvilloi përvojën e saj në gazetari, duke ndërtuar bazat e një profili të qëndrueshëm profesional dhe duke u përballur me dinamikën e raportimit të përditshëm.
Një vëmendje të veçantë në punën e saj ia ka kushtuar fushës së shëndetësisë, të cilën e ndjek me përkushtim të vazhdueshëm dhe një qasje gjithnjë e më të specializuar. Përmes raportimeve nga institucionet shëndetësore, trajtimit të problemeve me të cilat përballen pacientët, sfidave të sistemit shëndetësor dhe çështjeve që prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve, Sara ka ndërtuar një profil të dallueshëm në këtë fushë.
Ky përqendrim tematik dëshmon jo vetëm interesimin e saj profesional, por edhe bindjen se gazetaria shëndetësore kërkon ndjeshmëri, njohje të problematikave dhe përgjegjësi të veçantë ndaj publikut.
Rrugëtimi i saj në gazetari nisi të marrë formë që gjatë studimeve universitare. Sara përfundoi Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT, ndërsa kontaktin e parë me profesionin e krijoi në fund të vitit 2018, kur nisi praktikën në televizionin Tribuna Channel.
Ishte një përvojë që e afroi me dinamikën e punës televizive, përgatitjen e lajmeve dhe përgjegjësinë që mbart raportimi publik. Përtej njohurive të fituara në auditorë, puna në redaksi i ofroi mundësinë të kuptonte nga afër se gazetaria kërkon përkushtim, ndjeshmëri dhe gatishmëri për t’u përballur me realitete të ndryshme.
Pas përfundimit të studimeve, në vitin 2021, ajo nisi angazhimin profesional si gazetare e terrenit në televizionin Festina në Ferizaj. Aty realizoi kronika dhe lajme për edicionin qendror informativ, duke ndërtuar përvojën e saj përmes raportimeve nga komuniteti dhe trajtimit të temave me interes publik.
Terreni, aty ku gazetaria merr kuptimin e saj
Përvoja në terren përbën një nga dimensionet më të rëndësishme të formimit të një gazetari. Është pikërisht aty ku lajmi merr formë, ku dëgjohen qytetarët, ku ballafaqohen qëndrimet dhe ku problemet e përditshme shndërrohen në çështje të interesit publik.
Në këtë drejtim është zhvilluar edhe karriera e Sarës, e cila aktualisht është e angazhuar në televizionin Kanal 10, ku raporton për zhvillimet aktuale në vend, duke trajtuar tema sociale, politike dhe të kronikës.
Përmes kronikave të saj, ajo synon që vëmendjen mediatike ta orientojë edhe drejt njerëzve dhe shqetësimeve të tyre. Sepse, përtej titujve dhe zhvillimeve ditore, gazetaria ka edhe një dimension njerëzor: mundësinë për t’u dhënë hapësirë atyre që kanë nevojë të dëgjohen.
Angazhimi i saj nuk është kufizuar vetëm në raportimin nga terreni. Sara ka qenë gjithashtu pjesë e emisionit televiziv N’05, ku ka ushtruar rolin e gazetares dhe bashkëprezantueses gjatë sezonit të dytë, duke zgjeruar përvojën edhe në komunikimin televiziv dhe intervistimin e të ftuarve.
Një profesion që vazhdon të kërkojë më shumë
Gazetaria është një profesion që nuk përfundon me një kronikë, një intervistë apo një paraqitje televizive. Çdo ditë sjell një histori të re, një sfidë tjetër dhe një përgjegjësi shtesë ndaj publikut.
Pikërisht kjo dinamikë duket se e mban Sarën të lidhur me profesionin që e kishte zgjedhur që në fillimet e saj universitare. Dashuria për komunikimin me njerëzit dhe bindja se puna e gazetarit mund të ndikojë në adresimin e problemeve shoqërore mbeten pjesë e motivimit të saj profesional.
Rrugëtimi nga Tribuna Channel, te Festina dhe angazhimi aktual në Kanal 10 dëshmon një përvojë të ndërtuar nëpër etapa të ndryshme të gazetarisë televizive.
Sara Shehu vlerë të veçantë i kushton edhe rolit të UBT-së dhe profesorëve të Fakultetit Media dhe Komunikim në formimin e saj profesional. Ajo thekson se pikërisht mbështetja, përkushtimi dhe motivimi i profesorëve ishin ndër shtysat kryesore që e ndihmuan ta shndërronte interesimin për gazetarinë në një aftësi konkrete profesionale.
“UBT-ja dhe profesorët e Fakultetit Media dhe Komunikim ishin ata që më dhanë shtytje dhe motivim për ta përvetësuar edhe në praktikë zejen e gazetarisë”, shprehet Sara, duke vlerësuar rëndësinë e ndërthurjes së përgatitjes akademike me përvojën praktike, si një bazë e rëndësishme për ndërtimin e karrierës së saj mediatike.
Për Sara Shehun, mikrofoni nuk është vetëm një mjet pune, por një mundësi për të përcjellë zërin e qytetarëve. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron arsyeja pse, pavarësisht viteve dhe përvojave të fituara, ajo vazhdon ta dojë këtë profesion: sepse pas çdo kronike qëndron një njeri, një histori dhe një mundësi që dikush të dëgjohet./rajonipress/


