Gjilani fuqizon zjarrfikësit me pajisje moderne në vlerë prej afro 17.500 eurosh
Gjilan – Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Gjilan është furnizuar me pajisje moderne, të cilat synojnë rritjen e kapaciteteve operative dhe përmirësimin e reagimit në situata emergjente.
Furnizimi është realizuar nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME), ndërsa në ceremoninë e pranimit të pajisjeve ka marrë pjesë edhe drejtori i kësaj drejtorie, Enver Shabani.
Pajisjet e reja do t’u shërbejnë ekipeve të zjarrfikjes dhe shpëtimit gjatë intervenimeve në raste të ndryshme emergjente, përfshirë zjarret, aksidentet e komunikacionit, vërshimet dhe situatat e tjera që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve, përfshirë edhe tërmetet eventuale.
Sipas Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ky investim paraqet një hap të rëndësishëm drejt avancimit të infrastrukturës dhe kapaciteteve teknike të njësisë, duke krijuar kushte më të mira për reagim më të shpejtë, më profesional dhe më efikas në terren.
Vlera e përgjithshme e pajisjeve të pranuara është 17 mijë e 497 euro.
Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim është vlerësuar bashkëpunimi me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale në forcimin e mekanizmave të reagimit dhe mbrojtjes së qytetarëve.
Furnizimi me pajisje të reja synon të rrisë gatishmërinë e zjarrfikësve të Gjilanit për t’u përballur me sfidat emergjente dhe për të ofruar shërbime më cilësore në funksion të sigurisë publike./rajonipress/

