Sokol Haliti fuqizon mbështetjen institucionale për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve: Nënshkruan memorandumin për Qendrën “Liria”
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka riafirmuar përkushtimin e tij dhe të institucioneve komunale për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve që përballen me dhunën në familje, duke nënshkruar në Gjilan Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve “Liria”.
Përmes kësaj iniciative, Haliti po mbështet fuqizimin e mekanizmave institucionalë që ofrojnë strehim, siguri dhe përkujdesje për viktimat e dhunës, duke vënë theksin në përgjegjësinë e komunave për të garantuar shërbime të qëndrueshme dhe mbështetje konkrete për personat në nevojë.
Duke folur në ceremoninë e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, ku morën pjesë kryetarë komunash nga rajonet e Gjilanit dhe Ferizajt, përfaqësues institucionalë dhe drejtues të qendrave për strehim, Haliti theksoi se mbrojtja e grave dhe fëmijëve kërkon angazhim përtej deklaratave publike.
Ai vlerësoi se bashkëpunimi ndërkomunal dhe ndërinstitucional, organizimi i mirëfilltë dhe sigurimi i financimit të qëndrueshëm janë elemente thelbësore për funksionimin dhe fuqizimin e këtyre qendrave.
“Solidariteti nuk mjafton vetëm me fjalë, ai kërkon organizim, strukturë, financim të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha, bashkëpunim të ngushtë ndërkomunal dhe ndërinstitucional”, theksoi Haliti.
Kryetari Haliti vlerësoi lart punën e Qendrës “Liria” në Gjilan dhe të Qendrës “Shtëpia ime” në Ferizaj, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për funksionimin e tyre dhe për ofrimin e shërbimeve profesionale për gratë dhe fëmijët që kanë nevojë për mbrojtje.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për stafin e këtyre qendrave, Misionin e OSBE-së dhe komunat pjesëmarrëse, për kontributin dhe bashkëpunimin në këtë drejtim.
“Le të vazhdojmë të punojmë së bashku, që ky memorandum të mos mbetet vetëm letër e bardhë, por të jetë një mburojë e vërtetë dhe një dritë shprese për secilin që ka nevojë”, u shpreh Haliti.
Nënshkrimi i këtij memorandumi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të përgjegjësisë së përbashkët institucionale dhe dëshmon rëndësinë e angazhimit të Komunës së Vitisë në mbështetjen e mekanizmave që mbrojnë jetën, dinjitetin dhe të drejtat e grave dhe fëmijëve.
Në ceremoninë e nënshkrimit folën edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk, si dhe udhëheqësja e Zyrës së Koordinatorit Kombëtar për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore, Artë Ademi-Bajrami./rajonipress/

