Premtimet për projekte nuk i bindin qytetarët, Alban Hyseni përballet me kritika për rrugët në Gjilan
Gjilan – Një postim i kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, ku ai ka shkruar se po vazhdojnë me përkushtim realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve, ka nxitur reagime dhe pakënaqësi te një pjesë e qytetarëve.
Pas publikimit të fotografive dhe mesazhit të tij, disa qytetarë kanë shfrytëzuar hapësirën e komenteve për të shprehur pakënaqësitë lidhur me gjendjen e rrugëve, mungesën e infrastrukturës përcjellëse dhe premtimet që, sipas tyre, ende nuk janë realizuar.
Komentuesit kanë ngritur shqetësime për rrugë të ngushta, mungesë trotuarësh, ndriçim publik dhe projekte infrastrukturore që presin ndërhyrje.
Jeton Bajraliu ka kritikuar përzgjedhjen e rrugëve ku po zhvillohen punimet, duke pretenduar se po investohet në zona me pak shtëpi, ndërsa rrugët me qarkullim më të madh po mbeten pa intervenime.
“Shkon shtron rrugë me 10 shpija, nuk shtron rrugë ku ka ma shumë shpia, ma shumë qarkullim, që qe katër vjet na ka premtue që ka me ju shtrue”, ka shkruar ai.
Edhe Lulzim Ferati ka shprehur pakënaqësi për cilësinë dhe standardet e punimeve infrastrukturore.
“Rrugë pa kurrfarë standardi, rrugë 2.80 sa kerri”, ka komentuar Ferati.
Ndërkaq, Muharrem Adelina ka kërkuar ndërhyrje edhe në rrugën pranë tregut të veturave, afër stadiumit të ri të FC Dritës, duke përshkruar vështirësitë me të cilat, sipas tij, përballen banorët gjatë qarkullimit.
“Komandir, mirë ish kanë me shtru edhe te tregu i kerreve, saktësisht te stadiumi i ri i FC Dritës, 1 km gjatësi s’je në gjendje me shtru. Vjen njeri 1600 km, kur të vijë afër shpisë s’ki ku me hi prej lloçit”, ka shkruar ai.
Kritika ka pasur edhe për rrugën në drejtim të fshatit Capar. Granit Arapi i është drejtuar kryetarit me kërkesën që kjo rrugë të mos mbetet sërish jashtë investimeve.
“Rrugën për Capar, i nderum kryetar, e vetmja rrugë që s’u intervenu as mandatin e parë, kështu që mandatin e dytë mos e le në harresë!”, ka komentuar Arapi.
Ndërsa Egzon Rukovci ka ngritur shqetësime për gjerësinë e rrugës, mungesën e trotuarit dhe ndriçimit publik, duke vënë në pah edhe rrezikun për këmbësorët.
“Shumë fort e paskit ndreq. Me u bo dy kerre me u taku, njëri duhet në livadh me dalë me kalu tjetri. Trotuar nuk ka, ndriçim nuk paska, mezi naj llaskuc bjen qaty ku nuk paska anësor edhe e then shputën”, ka shkruar Rukovci.
Reagimet e qytetarëve tregojnë se, përtej njoftimeve për projekte dhe investime, një pjesë e banorëve kërkojnë zgjidhje konkrete për problemet infrastrukturore që, sipas tyre, vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura.
Në qendër të kritikave janë jo vetëm realizimi i projekteve, por edhe cilësia e punimeve, prioritetet e investimeve dhe përmbushja e premtimeve të dhëna gjatë mandatit të kaluar./rajonipress/

