Prokuroria në Gjilan ndalon 9 persona, tre prej tyre të mitur – ngrit 27 aktakuza brenda një jave
Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndaluar nëntë persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale gjatë periudhës 7–13 nëntor 2026, tre prej të cilëve janë të mitur.
Sipas raportit javor të Prokurorisë, katër persona janë ndaluar nën dyshimin për veprën penale të tentimvrasjes, ndërsa tre prej tyre janë të mitur. Po ashtu, janë evidentuar dy raste të ndalimit të të miturve, njëri nën dyshimin për sulm seksual dhe tjetri për materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve.
Gjatë kësaj periudhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar edhe persona të dyshuar për dhunë në familje, kanosje, mosekzekutim të vendimeve gjyqësore dhe mashtrim.
Ndërkohë, Prokurori i Shtetit ka parashtruar shtatë kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë personave të dyshuar, përfshirë tre të mitur.
27 aktakuza ndaj 28 personave
Përveç ndalimeve dhe kërkesave për paraburgim, Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur gjithsej 27 aktakuza kundër 28 personave për vepra të ndryshme penale.
Sipas të dhënave të publikuara, numri më i madh i aktakuzave lidhet me:
Shtatë aktakuza për posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.
Gjashtë aktakuza për lëndim të lehtë trupor.
Katër aktakuza kundër pesë personave për dhunë në familje.
Tri aktakuza për vjedhje.
Tri aktakuza për kanosje.
Ndërsa nga një aktakuzë është ngritur për rrezikim të trafikut publik, kontrabandim me mallra, mospërfillje të gjykatës dhe mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të armëve.
Të dhënat i përkasin raportit javor të Prokurorisë Themelore në Gjilan, për periudhën 7–13 nëntor 2026. Personat e dyshuar konsiderohen të pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë./rajonipress/

