“Vjosa u bë presidente me votat e Radojiçiqit, të siguruara përmes Shehollit” – Fadil Kajtazi godet ashpër Vjosa Osmanin
Gjilan – Aktivisti i hershëm i LDK-së në Gjilan, Fadil Kajtazi, ka reaguar me tone të ashpra ndaj mundësisë së rikthimit politik të Vjosa Osmanit në kuadër të LDK-së. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka ngritur pretendime lidhur me votat e Listës Serbe për zgjedhjen e Osmanit presidente, duke përmendur edhe Milan Radojiçiqin dhe Fatmir Shehollin.
Kajtazi, i cili prej vitesh është pjesë e strukturave dhe veprimtarisë së LDK-së në Gjilan, ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj idesë që Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës së kësaj partie.
Në reagimin e tij, Kajtazi pretendon se zgjedhja e Osmanit presidente është bërë me votat e Radojiçiqit, të cilat, sipas tij, janë siguruar përmes Fatmir Shehollit. Ky i fundit, sipas postimit të Kajtazit, po akuzohet nga Prokuroria e Kosovës për spiunazh në favor të BIA-s serbe.
Duke komentuar zhvillimet brenda LDK-së, Kajtazi ka përdorur edhe gjuhë të drejtpërdrejtë kritike, duke paralajmëruar se partia mund të humbasë edhe mbështetjen e mbetur nëse nuk reflekton për vendimet e saj politike.
Ai ka rikujtuar gjithashtu një reagim të mëhershëm ndaj zhvillimeve në parti, kur kishte përdorur shprehjen: “Po qelbeni”, duke përmendur se atëherë ishte prekur edhe Imri Ahmeti.
Reagimi i Fadil Kajtazit pasqyron pakënaqësitë dhe debatet që po zhvillohen brenda rrethit të aktivistëve të LDK-së lidhur me orientimin politik dhe figurat që mund të përfaqësojnë partinë në zhvillimet e ardhshme.
Postimi i plotë nga Fadil Kajtazi :
LDK rikthehet vetem atëherë kur e kupton se çfarë do të thotë ta bësh bartëse të listës Vjosën, e cila është zgjedhur presidente me votat e Radojqiqit, te siguruara përmes Fatmir Shehollit, i cili nga Prokuroria e Kosoves po akuzohet si spiun i BIA-s – i Serbisë.
Përndryshe, edhe kjo drita e vogel qe po e shendrite ne kete foto, do te erresohet.
Atëherë i pati ngelë hatri Imri Ahmetit kur i pata shkruar “po qelbeni”./rajonipress/

