Aksion policor në Gjilan: Sekuestrohen mbi 3 kilogramë substanca të dyshuara narkotike, armë dhe municion – i dyshuari në arrati
Gjilan – Policia e Kosovës ka sekuestruar sasi të konsiderueshme të substancave të dyshuara narkotike, një pistoletë dhe municion gjatë kontrollit të një vendbanimi në rrugën “Metush Krasniqi” në Gjilan. I dyshuari, shtetas kosovar, ndodhet në arrati.
Rasti ka ndodhur më 12 nëntor 2026, rreth orës 20:30, kur gjatë kontrollit të vendbanimit të një personi të dyshuar, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar disa lloje të substancave që dyshohet se janë narkotike.
Sipas raportit policor, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar:
64.60 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë;
104.9 gramë substancë që dyshohet të jetë amfetaminë;
3,025.20 gramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë;
216.20 gramë substancë që dyshohet të jetë ekstazi;
47 gramë substancë që dyshohet të jetë hashash;
Katër cigare elektronike me 35 mbushje;
Një pistoletë;
Tre karikatorë dhe 20 fishekë.
Sasia e përgjithshme e substancave të dyshuara narkotike të sekuestruara arrin në mbi 3.4 kilogramë.
Policia ka bërë të ditur se personi i dyshuar nuk është hasur gjatë kontrollit dhe aktualisht ndodhet në arrati.
Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente, ndërsa pritet që hetimet të sqarojnë rrethanat dhe përgjegjësinë e mundshme penale të personit të dyshuar./rajonipress

