Fidanishtja

Mehmet Kraja: Keq-të-folurit dhe keq-të-lexuarit shqip tashmë ka arritur të marrë status shtetëror në Kosovë

Mehmet Kraja: Keq-të-folurit dhe keq-të-lexuarit shqip tashmë ka arritur të marrë status shtetëror në Kosovë

Shkrimtari Mehmet Kraja, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, shkroi se keq-të-folurit dhe keq-të-lexuarit shqip tashmë ka arritur të marrë status shtetëror në Kosovë.

“Kosova përfaqësohet në nivelet më të larta nga persona që nuk dinë “as me folë, as më lexue e as me shkrue shqip”, me standard apo pa standard. Ata nuk do të bëjnë më përpjekje për të mësuar shqipen, sepse njohja solide e drejtshkrimit dhe e drejtshqiptimit nuk do të jetë kriter për asnjë post të hierarkisë shtetërore. Ata nuk do ta fshehin më se nuk e dinë gjuhën shqipe, sepse do të përdorin si alibi shembuj “të rëndë”, si edhe faktin se është në trend rrënimi i standardit të gjuhës shqipe dhe promovimi i “kosovarishtes” si amalgamë e të folmes dialektore, e vërshuar me turqizma e sllavizma, në leksik e në sintaksë, në fonetikë e në morfologji.

Në Kushtetutën tonë nuk është shkruar se nuk mund të zgjidhen në poste të rëndësishme publike personat që e flasin shqipen me theks sllav. Përkundrazi, është shkruar se serbishtja duhet të jetë në përdorim edhe atje ku nuk gjendet asnjë serb!

United Hospital

Ndërkohë, në 25 vitet e fundit, në Kosovë bashkëjetuan dy tendenca gjuhësore paralele: një përpjekje për të ngritur dhe për të përvetësuar standardin, dhe për të avancuar kulturën e gjuhës; dhe një këmbëngulje tjetër, për të penguar këtë proces, duke promovuar, bashkë me “kombin kosovar”, edhe një “gjuhë liberale”, me skizmën që i kundërvihet normës gjuhësore “ideologjike” të Shqipërisë dhe i jep zë modernitetit europian të Kosovës. Gjuhëtarët tanë nuk e bënë të qartë asnjëherë se moderniteti duhet të shoqërohet me një gjuhë të kultivuar, të hirshme e të shkruar me kulturë, dhe jo me një nëndialekt rural me plot barbarizma.

Ne edhe ashtu kemi ngatërresa të mëdha me të gjitha llojet e kalkeve gjuhësore.

E çka me thanë, nëse krejt fjalimi ose krejt leximi i një politikani është kalk i mbaruar!?

Ndërkaq, respekt për ata që shkruajnë gegërisht; kjo është zgjedhja e tyre, por të paktë janë ata që dinë ta bëjnë këtë si duhet.

Për çudi, te ne është një grup gjuhëtarësh, të cilët, para se të këmbëngulin në ngritjen e kulturës së gjuhës dhe nxënien e normës dhe para se në forumet e tyre të mbështesin standardin, kanë filluar zëshëm të mbështesin skizmën, pavarësisht se kjo tendencë i ka rrënjët tek vija ndarëse proserbe të një kohe më të hershme, kur “kosovarishtja” duhej të shërbente si paradigmë kundër integrimit të ndërvetshëm shqiptar.

Çudia tjetër më e madhe ndodhë atëherë, kur disa nga këta gjuhëtarë, në tubimet e tyre shkencore, në kumtesat e tyre, në njërën anë angazhohen për “liberalizimin” e standardit, teksa në anën tjetër ligjërimin e tyre e bëjnë si me qenë nga Lushnja, kaq parimor janë!

Nuk janë parimorë as atëherë, kur nga katedrat e Seminarit kërkojnë të mos hiqen nga përdorimi huazimet turke, bie fjala, madje as kur janë barbarizma të zakonshme. Kështu siç ia kemi nisur, ndonjë ditë jo fort të largët mund të dalë ndonjë “dishepull” i kësaj lagjeje dhe të kërkojë të mos hiqen as barbarizmat sllave, as theksi sllav kur lexojmë shqip, sepse “kosovarishtja” edhe ashtu është në kërkim të identitetit.

Nuk janë parimorë as atëherë kur nuk tregojnë se u bënë përpjekje jo të vogla, ngahera, të bëhej një fjalor i lemantizuar i shqipes së shkruar në Kosovë para vitit 1971, mësa duket jo për të ruajtur “thesarin leksikor”, por më shumë si favor që duhej bërë idiomës kosovare të gjuhës shqipe; e nuk janë parimorë as atëherë kur nuk duan t’i botojnë vendimet e Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe, ndërkohë që botohet dhe i bëhet jehonë ndonjë libri që tallet dhe përqesh standardin.

Ndërkohë dhe ndërkohë, keq-të-folurit dhe keq-të-lexuarit shqip tashmë ka arritur të marrë status shtetëror në Kosovë”, shkroi Kraja.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.