Uje Dea

Kërcënimet e përsëritura kërkojnë reagim institucional: Rasti i Safet Hysenit vë në sprovë Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatën

Kërcënimet e përsëritura kërkojnë reagim institucional: Rasti i Safet Hysenit vë në sprovë Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatën

Viti – Kërcënimet e rënda ndaj kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, për të cilat është arrestuar 45-vjeçari Safet Hyseni nga fshati Smirë, duket se nuk janë një incident i izoluar. Informacionet e siguruara nga burime të afërta me rastin flasin për një histori të mëhershme konfliktesh, kërcënimesh dhe shqetësimesh, ndërsa pretendimet për sjellje të dhunshme brenda familjes e bëjnë edhe më të ndërlikuar profilin e rastit.

Kërcënimet e përsëritura, pavarësisht se ndaj kujt drejtohen, nuk duhet të trajtohen si episode të izoluara apo si incidente që përfundojnë vetëm me një arrestim. Ato kërkojnë vlerësim serioz të rrezikut, hetim të plotë dhe reagim të koordinuar institucional.

Rasti i Safet Hysenit, i dyshuar për kërcënime ndaj kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ngre një çështje më të gjerë të sigurisë publike: sa efektive janë mekanizmat e parandalimit kur kërcënimet pretendohet se përsëriten në periudha të ndryshme?

Uje Dea

Policia, Prokuroria dhe Gjykata kanë përgjegjësi që, brenda kompetencave të tyre ligjore, të vlerësojnë çdo sinjal rreziku, të dokumentojnë sjelljet kërcënuese dhe të ndërmarrin masa proporcionale për të parandaluar përshkallëzimin e mundshëm.

Institucionet nuk duhet të presin që një kërcënim të shndërrohet në vepër të rëndë për të dëshmuar se kanë reaguar. Parandalimi është përgjegjësi ligjore dhe detyrim ndaj sigurisë së çdo qytetari.

Rasti i arrestimit të Safet Hysenit po merr përmasa të reja, pasi informacione të siguruara nga burime të afërta me Policinë dhe Prokurorinë sugjerojnë se problemet e tij të dyshuara nuk lidhen vetëm me kërcënimet e fundit ndaj kryetarit të Vitisë.

Sipas këtyre burimeve, Hyseni dyshohet se ka pasur sjellje kërcënuese edhe në të kaluarën, ndërsa pretendime shqetësuese janë ngritur edhe për raportet e tij familjare, ku thuhet se familja janë përballur me kërcënime dhe sjellje të dhunshme.

Burimet pretendojnë se situata familjare ka qenë e njohur për një periudhë më të gjatë, ndërsa vlerësojnë se rasti kërkon edhe vlerësim profesional të gjendjes psikike të të dyshuarit. Megjithatë, deri më tani nuk ka ndonjë konstatim zyrtar mjekësor që do të konfirmonte probleme të tilla shëndetësore.

Kërcënimet ndaj Sokol Halitit, një histori që dyshohet se nisi vite më parë

Sipas informacioneve të siguruara, Safet Hyseni dyshohet se e kishte kërcënuar kryetarin Sokol Haliti edhe para disa vitesh, ndërsa një tjetër episod kërcënues pretendohet të ketë ndodhur rreth një muaj më parë.

Situata dyshohet se është përshkallëzuar sërish gjatë javës së kaluar, kur në rrjetin social TikTok janë publikuar video me përmbajtje kërcënuese ndaj kryetarit të Komunës së Vitisë.

Në njërën prej videove, sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, dëgjohet mesazhi kërcënues:

“Brenda tri ditësh duhet ta lëshosh vendin.”

Por, përmbajtja e incizimeve të tjera pretendohet të jetë edhe më shqetësuese.

Në një prej tyre, i dyshuari dëgjohet duke iu drejtuar Halitit me kërcënime të drejtpërdrejta, duke përmendur armë të tipit kallashnikov dhe duke e sfiduar që të paraqitet në vendin e tij të punës.

“Dil në guxofsh në vendin e punës, të ruaj me kallash”, është një nga shprehjet që, sipas informacioneve të siguruara, dëgjohet në incizim.

Në të njëjtin material përmenden edhe prokurorët dhe zyrtarët policorë, ndaj të cilëve bëhen akuza dhe kërcënime të tjera.

Pikërisht pas sigurimit të këtyre incizimeve, Policia ka ndërmarrë veprime hetimore që kanë çuar në arrestimin e 45-vjeçarit.

Kontrolli policor dhe ndalimi për 48 orë

Pas arrestimit, me urdhër verbal të Prokurorisë është realizuar kontrolli i shtëpisë dhe i objekteve përcjellëse të të dyshuarit.

Megjithatë, gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e kundërligjshme.

Hyseni është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa Prokuroria ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.

Hetimet pritet të sqarojnë jo vetëm rrethanat e kërcënimeve të fundit, por edhe nëse episodet e mëhershme kanë qenë të raportuara dhe nëse ekziston një histori e dokumentuar e sjelljeve të tilla.

Kabineti i Sokol Halitit pritet të ankohet ndaj Policisë në Viti

Përtej procedurave penale ndaj të dyshuarit, rasti pritet të hapë edhe një çështje tjetër: mënyrën se si janë trajtuar kërcënimet e përsëritura nga organet kompetente.

Burime të afërta me kabinetin e kryetarit të Vitisë bëjnë të ditur se pritet të parashtrohet ankesë ndaj Stacionit Policor në Viti, për shkak të pakënaqësive lidhur me trajtimin e këtij rasti.

Sipas këtyre informacioneve, shqetësimi kryesor lidhet me pretendimet se kërcënimet nuk kanë qenë të izoluara dhe se, pavarësisht episodeve të mëhershme, situata ka vazhduar të përsëritet.

Ankesa ende nuk është konfirmuar si e dorëzuar zyrtarisht.

Mbetet të shihet se cilat veprime apo mosveprime konkrete të Policisë do të kundërshtohen dhe nëse do të kërkohet përgjegjësi institucionale për mënyrën e trajtimit të paralajmërimeve të mëhershme.

Nga ana tjetër, kërkohet edhe një sqarim i plotë nga Policia e Kosovës për të përcaktuar nëse kërcënimet e mëparshme ishin denoncuar, çfarë veprimesh ishin ndërmarrë dhe nëse procedurat e ndjekura kanë qenë në përputhje me detyrimet ligjore.

Rasti kërkon hetim të plotë, jo vetëm reagim pas kërcënimeve

Ajo që e bën këtë rast veçanërisht shqetësues është se, krahas kërcënimeve të pretenduara ndaj një zyrtari të lartë publik, janë ngritur edhe pretendime për sigurinë e anëtarëve të familjes së të dyshuarit.

Nëse këto pretendime konfirmohen nga organet kompetente, atëherë rasti kërkon një trajtim më të gjerë institucional, përfshirë hetimin e plotë të dhunës së mundshme në familje dhe vlerësimin profesional të çdo shqetësimi që mund të paraqitet.

Përgjegjësia për të sqaruar këto rrethana u takon Policisë, Prokurorisë dhe institucioneve përkatëse./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.