Dy çmime ndërkombëtare për shkollën “Dancing House” nga Gjilani në garën e vallëzimit në Shkup
Gjilan – Shkolla e Vallëzimit Modern “Dancing House” nga Gjilani ka shënuar një sukses të ri në arenën ndërkombëtare, duke fituar dy çmime në garën prestigjioze “STAGE International Dance Competition”, e cila u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Me dy grupe pjesëmarrëse, valltaret e reja nga Gjilani kanë arritur të prezantojnë me dinjitet talentin dhe përgatitjen e tyre artistike, duke u renditur ndër performancat e vlerësuara të këtij kompeticioni ndërkombëtar.
Rezultatet e shkollës “Dancing House” janë:
Vendi i dytë në kategorinë Hip Hop Group Junior.
Vendi i tretë në kategorinë Open Formation Children.
Pas këtyre rezultateve qëndron një punë e vazhdueshme, përkushtim dhe angazhim i madh i valltareve, të cilat përmes disiplinës dhe pasionit për kërcimin kanë arritur të dëshmojnë aftësitë e tyre përballë konkurrencës ndërkombëtare.
Merita për këtë sukses i atribuohet edhe profesoreshës Naski Ahmeti, asistentes Rinesa Arifi, si dhe prindërve, të cilët kanë dhënë mbështetje të vazhdueshme gjatë procesit të përgatitjeve.
Ky sukses përtej dy trofeve përfaqëson edhe një promovim të talentit të të rinjve gjilanas në skenën ndërkombëtare. “Dancing House” po dëshmon se investimi në art, kulturë dhe edukimin e brezave të rinj mund të prodhojë rezultate që e bëjnë krenar një qytet të tërë.
Gjilani kësaj radhe është prezantuar përmes ritmit, lëvizjes dhe talentit të valltareve të reja, të cilat po vazhdojnë të ndërtojnë një histori suksesi në botën e kërcimit./rajonipress/



