Vitia dhe San Cosmo Albanese nënshkruajnë marrëveshjen e binjakëzimit
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, dhe kryetari i Bashkisë së San Cosmo Albanese në Itali, Damiano Baffa, nënshkruan sot marrëveshjen e binjakëzimit ndërmjet dy komunave, duke hapur mundësi të reja bashkëpunimi dhe forcimi të lidhjeve ndërmjet qytetarëve të tyre.
Ceremonia u zhvillua në San Cosmo Albanese, në Kalabri, në kuadër të veprimtarisë kushtuar poetit arbëresh Zef Serembe, e cila bashkon përfaqësues nga lokalitete të ndryshme arbëreshe. Ky binjakëzim mbështetet në afërsinë kulturore, trashëgiminë e përbashkët dhe vullnetin për zhvillimin e marrëdhënieve të qëndrueshme ndërmjet dy komuniteteve.
Në fjalën e tij, Haliti falënderoi nikoqirët për ftesën dhe mikpritjen, përgëzoi organizatorët për veprimtarinë dhe vlerësoi kontributin e arbëreshëve në ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës dhe traditave ndër shekuj.
Ai shprehu përkushtimin e Komunës së Vitisë për ta zhvilluar këtë partneritet përmes nismave të përbashkëta.
Me këtë marrëveshje, Haliti vijon angazhimin për zgjerimin dhe forcimin e partneriteteve të Vitisë me komuna e qytete të ndryshme evropiane dhe më gjerë. Përmes binjakëzimeve dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit, Vitia po zgjeron rrjetin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke krijuar mundësi për shkëmbim përvojash, bashkëpunim institucional dhe projekte në dobi të qytetarëve.
Këto partneritete shërbejnë edhe për njohjen më të gjerë të historisë, trashëgimisë kulturore dhe potencialeve të Vitisë e të Kosovës. Vizitat e ndërsjella dhe bashkëpunimi ndërmjet shkollave, të rinjve, krijuesve dhe organizatave afrojnë komunitetet dhe krijojnë hapësira të reja për promovim e zhvillim.
Bashkëpunimi ndërmjet Vitisë dhe San Cosmo Albanese synon shkëmbime në arsim, kulturë dhe rini, promovimin e trashëgimisë dhe turizmit, si dhe shkëmbimin e përvojave në qeverisjen lokale.
Haliti u përcolli përfaqësuesve të San Cosmo Albanese ftesën për ta vizituar Vitinë, duke shprehur gatishmërinë për ta çuar përpara partneritetin me angazhim të përbashkët./rajonipress/

