Mobicasa

Mustafa kritikon qasjen e Qeverisë ndaj sektorit privat, Azemi kërkon pagën e 13-të edhe për privatët

/ 10 minuta lexim

Kërkesa për ndarjen e pagës së 13-të edhe për punëtorët e sektorit privat po rikthen në vëmendje pabarazinë në trajtimin e punëtorëve në Kosovë. Përderisa Qeveria ka paraparë këtë përfitim për sektorin publik, përfaqësuesit politikë dhe sindikalë vlerësojnë se lënia jashtë e punëtorëve të sektorit privat është diskriminuese dhe e padrejtë, sidomos kur një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të shtetit mbushet pikërisht nga taksat dhe tatimet e tyre.

Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, dhe kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, kërkojnë që paga e 13-të të përfshijë edhe këtë kategori punëtorësh, duke ngritur njëkohësisht shqetësimet për pagat e ulëta, mungesën e perspektivës dhe largimin e vazhdueshëm të punëtorëve nga Kosova.

Mustafa në një intervistë për Ekonomia Online ka kritikuar qasjen e Qeverisë ndaj sektorit privat, duke thënë se ky sektor po përballet me vështirësi, të cilat po reflektohen në rritjen e ulët ekonomike, mungesën e investimeve dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë në tregun e punës.Ai ka thënë se edhe në sektorin publik ka paqartësi lidhur me pagën e 13-të, mënyrën dhe kohën e pagesës, por ka theksuar se një pagesë e tillë nuk e kompenson rritjen e çmimeve dhe dobësimin e standardit të jetesës.

United Hospital

“Shiko, edhe te sektori publik, ka lajthitje për sa i përket pagës së 13-të, kur do të paguhet, si do të paguhet, mirëpo nuk flasim për një ngritje page që e kompenson rritjen e madhe të çmimeve dhe dobësimin e standardit të jetesës së qytetarëve. Për sa i përket sektorit privat, mjafton të shihet gjendja e ekonomisë së Kosovës dhe e shohim qëndrimin e kësaj qeverie ndaj sektorit privat. Kjo qeveri asnjëherë nuk ka pasur qëndrim miqësor ndaj sektorit privat”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, gjendja e vështirë e sektorit privat po ndikon edhe në mundësitë e punësimit për të rinjtë, ndërsa ka vlerësuar se emigrimi i tyre është pasojë e mungesës së perspektivës ekonomike në vend.

“Sektori privat është në gjendje të vështirë dhe kjo reflektohet edhe në një rritje të ulët ekonomike, reflektohet edhe në mungesë të investimeve dhe në mungesë të perspektivës të të rinjve kosovarë për të gjetur mundësi punësimi të mira në sektorin privat. Dhe krejt kjo argumentohet, faktohet edhe me numrat e mëdhenj të emigrimit, ku të rinjtë kosovarë në vazhdimësi po e lëshojnë Kosovën”, ka deklaruar ai.

Mustafa ka thënë se Qeveria duhet të krijojë kushte për zhvillimin e sektorit privat, duke e cilësuar këtë si rrugën e vetme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

“Dhe në këtë pikë, mendoj që është urgjente që qeveria e Kosovës t’i kthejë sytë nga krijimi i kushteve për zhvillim të sektorit privat, si rruga e vetme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se emigrimi nga Kosova po ndodh për arsye ekonomike, pasi të rinjtë nuk po gjejnë mundësi për të zhvilluar karrierë dhe për të pasur punësim me paga dinjitoze.“Shiko, emigrimi nga Kosova po ndodh për arsye ekonomike. Të rinjtë kosovarë nuk po gjejnë mundësi të zhvillojnë jetë, të zhvillojnë karrierë me mundësi punësimi që paguhen mirë dhe që ofrojnë mundësi dinjitoze të punësimit. Dhe kjo është rezultat, është pasojë e një qasje të vazhdueshme që nuk e ka mbështetur zhvillimin ekonomik në Kosovë”, ka deklaruar Mustafa.Ai ka shtuar se Qeveria duhet të realizojë investime dhe projekte të mëdha kapitale, si dhe të krijojë politika dhe infrastrukturë që do ta mbështesin rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit privat dhe prodhimit vendor.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se punëtorët e sektorit privat kontribuojnë në mbushjen e buxhetit të Kosovës përmes taksave dhe tatimeve, andaj, sipas tij, është e padrejtë që paga e 13-të të ndahet vetëm për sektorin publik.

“Në rend të parë punëtorët e sektorit privat paguajnë taksa dhe tatime që mbushin buxhetin e Kosovës. Kjo është diçka që nuk do koment, nuk ka ndonjë diskutim rreth kësaj. E dyta, është një diskriminim për punëtorët e sektorit privat kosovar, sepse ne kur e themi që 2/3 e buxhetit e mbushmi ne me tatimet dhe taksat tona të këtij buxheti dhe të ndahet paga e 13 për punëtorët e sektorit publik, ne domethënë e vlerësojmë këtë çështje. Por mjetet që ti i ndan, atë t’i gzon dikush tjetër, edhe mos t’i gëzojë ti që pagua 2/3 më shumë se sa të tjerët, kjo është diçka që nuk do koment. Dhe ne kemi kërkuar që paga e 13 të ndahet edhe për punëtorët e sektorit privat”, ka thënë Azemi.

Azemi ka theksuar se fundviti sjell shpenzime më të mëdha për familjet, ndërsa pagat e punëtorëve të sektorit privat, sipas tij, janë jashtëzakonisht të ulëta.Ai është thirrur në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), sipas të cilave rreth 40 mijë punëtorë të sektorit privat nuk e marrin as pagën minimale.

“Pasi që nga i njëjti buxhet paguhet edhe paga e 13-të për sektorin privat, për sektorin publik duhet të paguhet edhe për ne. Përndryshe, është edhe një arsye, është edhe një kërkesë sepse tani është fundviti, normal që shpenzimet janë shumë të mëdha, punëtorët e sektorit privat kanë pagat jashtëzakonisht shumë të vogla, sipas informacioneve që i ka dhënë ATK-ja, rreth 40.000 punëtorë të sektorit privat nuk e marrin as pagën minimale, domethënë kjo është e shifrave që e ka dhënë ATK-ja. Andaj në çdo formë është, po themi kështu, jashtëzakonisht e arsyeshme që paga e 13-të duhet të paguhet edhe për punëtorët e sektorit privat”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat ka përmendur edhe ndarjen e mjeteve shtesë në të kaluarën, duke thënë se për punëtorët e sektorit publik ishin ndarë 60 milionë euro, ndërsa për ata të sektorit privat 20 milionë euro, ndonëse, sipas tij, punëtorët e sektorit privat janë tri herë më shumë.

“Ne, shpeshherë kur është paguar edhe paga e 13 për punëtorët e sektorit publik është paguar, është paguar një shumë simbolike, për derisa për shembull pak më herët, para një kohe po thoni, para fushatës zgjedhore për punëtorët e sektorit publik u ndanë 60 milionë për pagë shtesë, derisa punëtorët e sektorit privat janë ndarë 20 milionë, derisa ne jemi tre fish më shumë punëtorë të sektorit privat sesa sektorit publik. Andaj, ne normal që kemi bërë një kërkesë edhe më herët edhe tek kryeparlamentarja e Kosovës, tek kryeministri dhe tek Hekuran Murati, ministri i Financave, që në rastin e ndarjes së pagës së 13-të në mënyrë automatike të legalizohet edhe për punëtorët e sektorit publik, që kjo duhet të kalojë edhe përmes parlamentit. Normal që janë procedura, por ne veç e kemi filluar këtë procedurë dhe kërkojmë që kjo të bëhet”, ka thënë Azemi.

Ai ka bërë të ditur se deri më tani nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet për kërkesat e tyre, por ka thënë se sindikata po vazhdon procedurat ligjore për të kërkuar që paga e 13-të të ndahet edhe për punëtorët e sektorit privat.

“Përgjigje nuk kemi marrë as tani, por nuk kemi marrë përgjigje edhe atëherë kur janë ndarë mjete, po them, simbolike për punëtorët e sektorit privat. Ne nuk presim përgjigje, por megjithatë ne jemi duke e kryer detyrën tonë, jemi duke e kryer detyrën tonë në aspekt ligjor që duam edhe na ligjërisht që paga e 13-të kur i jepet punëtorëve të sektorit publik duhet të jepet edhe për neve”, ka deklaruar ai.

Azemi ka kritikuar gjithashtu Qeverinë për mungesë bashkëpunimi me punëtorët dhe bizneset, duke përmendur edhe largimin e punëtorëve nga vendi.

“Kjo qeveri nuk është fare bashkëpunuese me punëtorë, domethënë, po themi me kështu, po them edhe me bizneset, ndoshta po e marr të drejtën me fol edhe për këtë, se vetë fakti që 40 mijë punëtorë, gjysma e punëtorëve të sektorit publik janë, po themi rreth 40 mijë dhe ne 40 mijë jemi që nuk e marrim as pagën minimale. Prandaj, nuk e marrim pagën minimale dhe ju e dini që vendimi i qeverisë është paga minimale. Andaj ne kemi probleme të përditshme”, ka thënë ai.

Në fund, Azemi ka thënë se nga Kosova largohen mesatarisht 4 mijë deri në 5 mijë punëtorë brenda muajit, duke e cilësuar këtë si tregues të gjendjes së sektorit privat.

“Por fakti që neve brenda muajit mesatarisht na ikun 4 mijë deri në 5 mijë punëtorë, të jep një pasqyrë se ku jemi dhe çka kemi. Fakti që qeveria nuk mendon për punëtorët e sektorit privat të Kosovës, atëherë punëtorët e sektorit privat të Kosovës duhet me menduar për vetveten, të luftojnë që të bëhet më mirë dhe ikja që po bëhet për çdo ditë i shkon”, ka përfunduar Azemi.Të hënen Qeveria e Kosovës e ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2027.

Kryeministri Albin Kurti tha se ligji për buxhetin e vitit të ardhshëm parasheh pagën e 13-të në fillim të vitit dhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga korriku 2027.

“Njësoj sikurse sivjet, buxheti 2027 parasheh edhe në vitin tjetër pagën e 13-të, dhe krahas saj edhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga data 1 korrik 2027. Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti”, tha ai.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.