Foda publikon listën e Kosovës për ndeshjet ndaj Izraelit dhe Irlandës, nuk mungojnë risitë
Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve, të cilat do të luhen në muajin nëntor.
“Dardanët” do të luajnë gjatë këtij muaji dy ndeshjet e fundit të Grupit B3 të Ligës së Kombeve, ku fillimisht presin Izraelin më 14 nëntor në Prishtinë dhe pastaj udhëton drejt Dublinit për ndeshjen e fundit ndaj Irlandës më 17 nëntor.
Për këto dy ndeshje, Foda ka zgjedhur t’i grumbullojë plotë 27 futbollistë, ku përveç ‘senatorëve’ të ekipit, nuk mungojnë as risitë.
Risitë e listës janë mbrojtësit Lindrit Kamberi dhe Bleon Kurtulus, si dhe sulmuesi Enis Rexhepi.
Në listë nuk mungojnë as yjet e ekipit si Vedat Muriqi, Edon Zhegrova, Fisnik Asllani, Arijanet Muric, Milot Raqshica dhe Mërgim Vojovda.
Përveç tyre në listë janë edhe lojtarë tjerë të rëndësishëm të formacionit si Lumbardh Dellova, Leon Avdullahu, Dion Gallapeni, Veldin Hoxha dhe Baton Zabërgja.
Rikthimi më i madh është ai i mesfushorit Elvis Rexhbeçaj, i cili mungoi në grumbullimet e kaluara shkaku i lëndimit /Telegrafi/

