Policia në Gjilan shqipton 1,498 gjoba për një javë, 38 shoferëve u ndalohet drejtimi i automjeteve
Gjilan – Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë Rajonale në Gjilan, ka shqiptuar 1,498 gjoba për kundërvajtje në trafik gjatë periudhës 30 tetor – 5 nëntor 2026. Gjatë kësaj jave janë regjistruar edhe 21 aksidente, prej të cilave 14 me persona të lënduar.
Sipas njoftimit të Policisë, aktivitetet janë zhvilluar nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafik.
Gjatë kësaj periudhe janë hetuar shtatë aksidente me dëme materiale dhe 14 aksidente me persona të lënduar.
Policia ka shqiptuar 41 gjoba për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe 41 të tjera për mosvendosjen e rripit të sigurisë.
Ndërkohë, 38 ngasësve u është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit, të ulin shpejtësinë, të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes dhe të vendosin rripin e sigurisë.
Policia ka kërkuar gjithashtu kujdes të shtuar ndaj këmbësorëve, duke theksuar se siguria në trafik është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion./rajonipress/

