Komuna e Vitisë shpërndan 47 mekanizma bujqësorë për fermerët, vazhdon mbështetja për zhvillimin e bujqësisë
Viti – Komuna e Vitisë ka vazhduar programin e mbështetjes për sektorin e bujqësisë, duke shpërndarë 47 mekanizma dhe pajisje të reja bujqësore për fermerët përfitues, me synim lehtësimin e punëve në terren dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese të fermave.
Përmes Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, janë shpërndarë gjithsej 17 rroto kosë dhe 30 freza për traktor, pajisje që synojnë modernizimin e veprimtarisë bujqësore dhe përmirësimin e kushteve të punës për fermerët vitias.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka theksuar se mbështetja e fermerëve mbetet një nga prioritetet e qeverisjes komunale, duke bërë të ditur se investimet në këtë sektor do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme.
Ai ka nënvizuar se përzgjedhja e mekanizmave dhe pajisjeve që do të shpërndahen në vazhdimësi do të bëhet duke marrë parasysh kërkesat, specifikat dhe nevojat konkrete të fermerëve, në mënyrë që përkrahja institucionale të ketë ndikim sa më të drejtpërdrejtë në aktivitetet e tyre prodhuese.
Ndërkaq, drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Naim Pira, ka vlerësuar rëndësinë e këtyre investimeve për fuqizimin e sektorit bujqësor, duke theksuar se drejtoria do të vazhdojë zbatimin e programeve mbështetëse për fermerët që merren me kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore.
Pajisjet e shpërndara pritet të kontribuojnë në lehtësimin e proceseve të punës, kursimin e kohës dhe rritjen e efikasitetit në kryerjen e aktiviteteve të përditshme bujqësore.
Përmes këtyre projekteve, Komuna e Vitisë synon të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin e bujqësisë, të mbështesë prodhuesit vendorë dhe të forcojë potencialin ekonomik të zonave rurale.
Mbështetja me mekanizim bujqësor konsiderohet një nga instrumentet e rëndësishme për modernizimin e fermave dhe rritjen e qëndrueshmërisë së prodhimit bujqësor në komunën e Vitisë./rajonipress/

