Mobicasa

Xhemail Ali Xhemajli (1942–2026) – Historian, pedagog dhe veprimtar politik nga Gjilani

/ 8 minuta lexim

Nga Mehmetali Rexhepi – Për kaq sa përshkruhet përmes këtij jetëshkrimi të shkurtuar, përfytyrojmë një jetë të një njeriu, siç ishte e tillë e profesorit Xhemajl, e lidhur pashkëputshëm me idealet e arsimimit kombëtar, ndonëse arsimimi i mirëfilltë kombëtar te ne ishte i penguar, i censuruar madje i përndjekur.

Magjistër i Shkencave të Historisë
Të dhëna për jetëshkrim
Lindi në Pogragjë të Gjilanit më 1942. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, më 1959, ndërsa të mesmen, Normalen, në Gjilan, më 1965. Në vitin shkollor 1965/1966 u punësua në Shkollën Fillore “Liria” në Pogragjë. Më 1966 shkoi në shërbimin ushtarak, në shkollën e oficerëve rezervë (PSHRO), në Bileçe të Bosnjës. Pas kryerjes së shnërbimit ushtarak, në mars të vitit 1967, kthehet në vendin e punës deri në nëntor të vitit 1968, kur filloi studimet në Fakultetin Filozofik, Dega e Historisë, në Prishtinë. Në vitin shkollor 1993/1994 regjistroi shkallën e tretë të studimeve pasuniversitare. Më 1998 magjistroi në temën: “Komiteti Nacional Demokrat i Kosovës 1944-1947’’.

Pas studimeve punoi në Qendrën për Aftësimin dhe Kualifikim Profesional të Punëtorëve në Gjilan, si mësimdhënës ligjëroi lëndën e Historisë dhe të Mbrojtjes e të Sigurisë. Në vitin 1974/75 punoi në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan. Nga aty iu mundësua të kalonte në Akademinë Pedagogjike “Skënderbeu” në Gjilan, deri në vitet 80-të. Më pas punoi në Qendrën e Arsimit të Mesëm të Orientuar (QAMO) të Gjilanit.

United Hospital

Në fillim të viteve 80-të filloi të punojë në shkollën e mesme “Marin Barleti” dhe, vazhdoi deri në pensionimin e tij më 2007. Pas demonstratave të vitit 1981 iu ekspozua procesit të diferencimit “ideo-politik”, u burgos herë pas herë, nga pushteti i kohës. Trysnia i vazhdoi pandërprerë deri në çlirimin e Kosovës, më 1999. Më 1990 u angazhua për themelimin e Lidhjes Demokratike, Dega në Gjilan, si dhe ishte pjesëmarrës i Kuvendit Themelues në Perlepnicë. Në vitin 1991 ishte njëri ndër themeluesit e Partisë Shqiptare Demokristiane (PSHDK), Dega në Gjilan. Në vitet 1998/1999 u burgos nga regjimi serb, nga se konsiderohej veprimtar politik i rrezikshëm për shtetin. Në burg qëndroi 6 javë (30 ditë në burgun e Gjilanit dhe 15 të tjera në burgun e Vrajës).

Pas luftës, në vitin 2002, punoi në Akademinë Pedagogjike “Skënderbeu“ në Gjilan dhe ligjëroi lëndën Histori Kombëtare. Me hapjen e Fakultetit të Edukimit në Gjilan, në grupin e Historisë ligjëroi lëndën Gjeografi Historike, më vonë angazhohet edhe në Programin e AKM-së, në të cilin përfshiheshin mësimdhënësit të cilët më parë kishin mbaruar Shkollën e Lartë; në këtë nivel ligjëroi deri në vitin 2014. Xhemal Xhemajli jetoi e veproi në Gjilan.

E nderuara mësuesja Kadrije bashkëshortja e profesorit Xhemajl, Madhërim dhe Arbëreshë fëmijë të dashur dhe trashëgimia e shëndoshë familjare e babait Xhemajl, vëllezër, kushërinj, miq, të afërm, nipa, mbesa, bashkë edukatorë brezash shkollarësh: sot na ka tubuar në këtë sallë dhimbja, respekti, nderimi dhe krenaria për prindin, për edukatorin, për mikun dhe profesorin Xhemajl Ali Xhemajlin!

Për kaq sa përshkruhet përmes këtij jetëshkrimi të shkurtuar, përfytyrojmë një jetë të një njeriu, siç ishte e tillë e profesorit Xhemajl, e lidhur pashkëputshëm me idealet e arsimimit kombëtar, ndonëse arsimimi i mirëfilltë kombëtar te ne ishte i penguar, i censuruar madje i përndjekur. Në kapërcyell të shekullit njëzet u sprovua rinia dhe pjekuria, gjakimet dhe përpjekjet e Xhemajl Xhemajlit që ta shihte, ta prekte, ta përjetonte dhe përjetësonte përparimin e bashkë atdhetarëve të vet në çdo sferë të jetës shoqërore, intelektuale, profesionale, institucionale dhe shtetërore. Andaj, nga dëshmi kolegësh më të hershëm të profesorit Xhemë, si e thërrisnim, në periudhat kur mësimdhënia zhvillohej në shkolla me përkatësi të përziera, herë – herë profesori Xhemajl nuk ngurronte t’ua rrëzonte me argumente pikëpamjet paragjykuese, fyese e mohuese të mësimdhënësve serbë të ngarkuar me urrejtje kundruall identitetit dhe kulturës shqiptare.

Nga çdo kënd që ta vështrosh jetën dhe bëmat e karakterit njerëzor të personalitetit të Xhemajl Xhemajlit, të del përpara urtësia dhe arsyeja për t’i kapur ngjarjet shtruar, pa zmadhime gufuese, pa mendjelehtësi… Në polemika apo zënka të tendosura lypte gjetjen e elementeve për bashkuese, shmangien e gjaknxehtësisë e të acarimeve mes vëllezërish, miqsh e shokësh, gjithnjë duke i dhënë hapësirë karakterit dhe mendësisë pajtuese dhe për afruese… Këso cilësish kultivonte profesori Xhemajl te brezat e njomë, sikurse një prind… Por, Ai ishte prind i të gjitha shtresimeve rinore, veçmas i bijve të përndjekurve nga shteti armiqësor. Asaj përkatësie i përkushtohej më me kujdes duke shprehur interesimin për hallet dhe gjendjen e tyre.

Gjithsesi për ta përplotësuar një jetë të tërë, në një mbledhje kur i ndjeri Xhemajl përmbylli faqebardhë jetën e tij të bujshme, ashtu siç ishte i bujshëm fati politik ekzistencial i kombit që i përkiste, janë të pakta dhe të përcipta fjalët që mund të thuhen sot brenda pak minutash. Mirëpo, profesori Xhemajl pati fatin që të sprovohet me ecje drejt zhbërjes ose ngadhënjimit… Por, Ai e arriti ngadhënjimin, një përmasë e ëndrrave me shpresa shekullore!

Me profesorin Xhemajl më lidhi periudha e kthimit tim në SHM Ekonomike, pas një periudhe pesëmbëdhjetë vjeçare të ndalesës sime për të punuar në arsim! Shkaku trillohej nga shkaqet politike të sistemit… “I papërshtatshëm ideo – politik” për sistemin jugosllavë të edukimit. Xhemajl Xhemajli ishte nga ata mësimdhënës “të pleqësisë” që kishte këmbëngulur për rikthimin tim në shkollë me cilësi të mësimdhënësit.

Nuk e harroj asnjëherë atë ngazëllim në fytyrën e tij që po kthehesha mësimdhënës në të njëjtën shkollë të përbashkët. Madje u bëmë nismëtarë, bashkë edhe me të tjerë mësimdhënës, të ndërrimit të emërtimit të shkollës nga “”Eduard Kardel” me emrin e humanistit tonë “Marin Barleti.”

Së bashku me profesorin Xhemajl po përballeshim drejt për së drejti me milicinë në oborrin e shkollave të mesme. Ishte gjendje tejet e tendosur… Protestat që i organizuam kundër mbylljes së shkollave për nxënësit me mësime në gjuhën shqipe, jehonën e kishin shtrirë anë e kënd qytetit… Rrethanat e kohës na nxorën të ishim në ballë me profesorin Xhemajl, si dhe e gjithë përbërja e atëhershme arsimore… Ecejaket e Xhemës për fatin e njëri – tjetrit ishin dramatike… Ai brengosej… Por, rrethana për përballje me milicinë ishte e pashmangshme. Hasa në pajtimin miratues të profesorit për një guxim të tillë…
Ai në vlugun e përndjekjes kishte ardhur natën në shtëpinë time për të kuptuar isha kapur ose jo.

Në burgosjet e viteve të stuhishme 1998 – 1999 edhe Xhemajl Xhemajli nuk shpëtoi pa e pirë gjellën e burgjeve serbe të Gjilanit dhe të Vrajës…

Në ndejat me Xhemajlin dhe miq të tjerë, Xhemajlit i shquhej prirja e tij për përqafimin e vlerave të demokracisë Euro – Atlantike. Atëbotë, kur ende nuk dihej si do të përfundonte çështja shqiptare, si çështje e pazgjidhur në planin çlirimtar dhe në planin e zgjidhjeve sistemore… Nuk priste të mos themeloheshin parti të karakterit demokratik edhe në Gjilan, (tubimet i mbanim në Përlepnicë për shkak të moslejimit të sallave në qytet nga milicia). Veproi për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe, u përkushtua për Partinë Shqiptare Demokristiane në nivel të degës dhe në nivelin qendror.

Ka çka dhe çfarë të thuhet shumëçka për Xhemajl Xhemajlin; diçka do të thonë edhe të tjerë që ndanë copa e copëza të jetës së tyre për gjatë rrugëtimit me Xhemajlin…

Ngushëllime të sinqerta për ju familje e ngushtë dhe e gjerë e Xhemajlit!

Miku ynë Xhemajli e përjetoi shtrirjen e lirisë, mori pjesë në ndërtimin e saj dhe, si pak bashkë motakë të tij, pati përmbushje shpirtërore e familjare! Qoftë i ndritur kujtimi i tij në mesin tonë dhe më gjerë!/rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.