Uje Dea

Pacolli reagon për çështjen e Aeroportit të Vlorës: “Shqiptarët meritojnë të vërtetën, ne jemi gati ta përfundojmë projektin”

/ 4 minuta lexim

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth projektit të Aeroportit të Vlorës, duke akuzuar Valon Ademin për mashtrime, shpifje dhe përpjekje për të penguar projektin. Në reagimin e tij, Pacolli thotë se ka besim te SPAK-u dhe te zbardhja e plotë e çështjes, ndërsa thekson se është i gatshëm të vazhdojë punën për përfundimin e aeroportit, sapo të rivendoset ligjshmëria.

Pacolli pretendon se prej më shumë se një viti është përballur me akuza dhe kërcënime, ndërsa përmend edhe Valon Llukën në lidhje me atë që e cilëson si përpjekje për transferimin e kundërligjshëm të kuotave të kompanisë MABCO. Sipas tij, kundërshtimet e tij janë mbështetur nga vendimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë.

Ai gjithashtu ngre pikëpyetje lidhur me pretendimet për kompaninë Delphos, të ashtuquajturit “misionarë rusë” dhe përfshirjen e emrave të tjerë në debat, duke kërkuar që çështja të trajtohet mbi bazën e fakteve dhe dokumenteve.

United Hospital

Në reagimin e tij, Pacolli thekson se pyetja kryesore mbetet baza ligjore mbi të cilën, sipas tij, është tentuar transferimi dhe regjistrimi i kuotave të MABCO-s në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB). Ai shpreh besimin se hetimet do të sqarojnë të gjitha veprimet dhe përgjegjësitë që lidhen me këtë çështje.

Në fund, Pacolli thotë se Aeroporti i Vlorës mbetet një projekt që synon ta përfundojë, duke u shprehur se vendosmëria e tij për realizimin e tij është e palëkundur.

Reagimi i plotë i Behgjet Pacollit
“Unë nuk luftoj me askënd. Çdo gjë e bën drejtësia!

Prej më shumë se një viti, ne përballemi me mashtrimet, gënjeshtrat, kërcënimet dhe shpifjet e Valon Ademit. Ai brutalisht u ndihmua edhe nga arkitekti i mashtrimeve dhe hajnive, Valon Lluka.

Në të gjithë përvojën time, nuk kam parë një përpjekje kaq të vazhdueshme për të shtrembëruar të vërtetën, për të cenuar pronën dhe për të penguar një projekt me rëndësi për një vend të tërë.

Tentativën për transferimin e kuotave të MABCO-s nga Valon Lluka dhe Valon Ademi, në prill të vitit 2025, e kemi denoncuar si mashtruese dhe të kundërligjshme. Vendimet e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës së Lartë kanë mbështetur kundërshtimet tona dhe realitetin e fakteve.

Edhe ndërhyrjet e fundit në QKB mbi regjistrimin ilegal të kuotave, të cilat menjëherë pas denoncimit tonë janë korrigjuar, po nxjerrin në pah veprimet ilegale të Valon Ademit gjithnjë e më shumë, rrethana këto që kërkojnë hetim të plotë.

E vërteta po del në dritë dhe maskat po bien.

Ju kujtohet sa u përfol për Delphos-in?

Sa u përdor narrativa shpifëse e Valon Ademit, edhe në gjykata, dhe sa gjykatës u mashtruan nga kjo narrativë për të penguar përfundimin e këtij projekti strategjik?

Ku mbeti premtimi i tij se do të paraqiste dokumente mbi Delphosin? Ku janë ato dokumente?

Ku janë provat për të ashtuquajturit ‘misionarë rusë’, të cilët, sipas pretendimeve të tij, qëndronin pas Aeroportit të Vlorës?

Tani së fundmi, në këto pretendime përfshihet edhe emri i Timur Kulibajit. Sa primitive dhe e ulët është kjo!

Po mungon të përmenden edhe emra të tjerë, si Grenelli, apo? Madje edhe Pinko Palino i radhës!

Këto ‘akuzat e reja’ të Valon Ademit nuk i japin përgjigje pyetjes themelore: mbi çfarë baze ligjore është tentuar transferimi dhe regjistrimi i kuotave të MABCO-s në QKB?

Valon Ademi gabon nëse mendon se me akuza dhe kërcënime të reja dhe me përfshirjen e emrave të tjerë mund ta largojë vëmendjen nga kjo çështje.

Shqiptarët meritojnë fakte, dokumente dhe transparencë, e jo gënjeshtra.

Ne kemi besim të plotë te SPAK-u dhe te zbardhja e të gjitha veprimeve dhe përgjegjësive që lidhen me këtë çështje.

Për respekt ndaj hetimeve dhe në përputhje me këshillat e këshilltarëve të mi ligjorë, në këtë fazë kufizohemi në këto deklarime.

Shqiptarët meritojnë të vërtetën. Meritojnë siguri juridike, respekt për pronën dhe institucione që zbatojnë ligjin.

Shqiptarët meritojnë Aeroportin e Vlorës. Ne jemi gati ta përfundojmë atë sapo të rivendoset plotësisht ligjshmëria dhe të na mundësohet vazhdimi i punës.

Keni besim! Vendosmëria jonë për ta përfunduar këtë projekt mbetet e palëkundur.

Behgjet Pacolli”

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.