Alban Hyseni shpreh ngushëllime për vdekjen e Remzi Isufit: Kontributi i tij la gjurmë në Komunën e Gjilanit
Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Remzi Isufit, punëtor shumëvjeçar të administratës komunale, duke vlerësuar kontributin e tij profesional dhe njerëzor.
Përmes një postimi, Hyseni ka theksuar se Isufi ishte një punëtor i dalluar, i ndershëm dhe profesionist, i cili gjatë angazhimit të tij la gjurmë të rëndësishme në institucionin komunal.
Sipas Hysenit, Remzi Isufi kontribuoi në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa që nga periudha e pasluftës, ndërsa para luftës ishte i angazhuar edhe në Këshillin për Financim.
Hyseni ka vlerësuar se humbja e tij ka lënë një zbrazëti të madhe te kolegët dhe stafi i Komunës së Gjilanit.
Në emër të kolegëve dhe stafit të komunës, ai u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të afërmve të të ndjerit.
«Qoftë i paharruar kujtimi për të!», ka shkruar Hyseni./rajonipress/

