Zhegra e lënë krejtësisht pas dore…
Gjilan – Zhegra, fshati më i madh në Malësinë e Karadakut, kohës së fundit është bërë një “lagje” që po rrëkon nga dhembjet jo vetëm të luftës së fundit 1999, por edhe nga mos përkrahja e shoqërisë më të gjerë. Menjëherë pas lufte, Zhegra na ishte një fshat i kthyer me fytyrë kah qyteti. Shumë qytetarë e të këtij lokaliteti e quanin Zhegrën “qytetëz”, për faktin se, menjëherë pas luftës u bë një ndryshim i mirë i infrastrukturës së këtij lokaliteti.
U ndërtua fusha e sportit afër Shtëpisë së Kulturës, u ndërtua ambulanca e re, u renovua mjaft bukur Shtëpia e Kulturës, e cila sot është një objekt që po lëngon nga dhëmbi i kohës. Te ky objekt sot nuk ka “pamje” të bukur, por ka njolla e shkarravitje të kohës. Kulmi i objektit në fjalë i rrëzbitur. Po ashtu, muret e këtij objekti janë plasaritur e bërë si të jenë pikturat e Pikasos. Edhe piktura e D. Behlulit, piktor, kushtuar heroit të kombit, Agim Ramadanit, është bërë e padukshme dhe plot pluhur e njolla nga gjurmët e topave të sportit.
Mandej, këtu, në kohën e pas luftës, u ndërtua kompleksi i heroit të popullit Idriz Seferit, i cili fshatit Zhegër i dha pamje të bukur hyrjes së këtij lokaliteti të Malësisë së Karadakut. U ndërtuan dy ura në mbi lumin e fshatit. Por, u ndërtua edhe Kulla e Agim Ramadanit, e cila nuk u bë ashtu si do të duhej të ishte. U bënë disa të “mira”, të cilat, këtij fshati i jepnin një pamje vërtet të një qytetëze joshëse për qytetarët e këtij lokaliteti e më gjerë. Dhe, sa herë vinin ditët e Agimit, më 2,3 e 4 maj, në Zhegër organizohej një festë e madhe e kombit. Kur shtuam se lufta këtu “preku” mjaft familje, ku më se 13 vetë janë vrarë me listë në dorë, ndërsa janë plagosur një numër mjaft i madh, edhe pas kësaj të keqe, këtu janë djegur mbi 400 shtëpi dhe janë asgjësuar e janë vjedhur me qindra mijëra ekonomi shtëpijake nga forcat e errta çetnike serbe. Edhe pas kësaj “gjendje”, Zhegra po frymon, por e lënduar. Çka pas kësaj “gjendje”?
Dihet: Shtëpia e Kulturës rrënkon nga rrëzbitja e kohës dhe mos menaxhimit të mirë nga qytetarët zhegras. Askush nuk interesohet më për këtë objekt të një rëndësie të madhe për qytetarët e këtushëm. Një pjesë e lokalit i është dhënjë një pronari. Pjesa kryesore e saj, ku më herët janë dhënë shfaqje, pjesë teatrale dhe janë organizuar koncerte e forma të tjera argëtuese për qytetarët, sot ky ambient është për shëmti. Aty hyjnë e dalin lloj-lloj mosha njerëzish. Fusha e sportit, që më parë shërbente për argëtimin e të rinjve të këtij fshati, tashmë është e zbraztë dhe duket si një hata e ambientit të saj. Rrethoja e fushës është dëmtuar tejmase, sa të duket se është gjendje pas lufte.
Mbi rrugë qëndron objekti i vjetër i Shkollës fillore “Agim Ramadani”, tash është lokal për mësimin e shkollarëve të gjimnazit të këtushëm. Edhe këtu ka se çka të shtohet. Nga brenda duket si të jetë objekt i viteve 1950. Këtu gjenden bangat e vjetra, karrigat e para 20 vjetësh. Disa arsimtarë të kësaj shkolle të mesme na thanë se këtu mësimin e vijojnë 12 paralele nxënënsish, 6 në gjimnaz e 6 të tjera në shkollën ekonomike, të cilat këto paralele janë pjesë e shkollave qendër në Gjilan. Përkundër këtyre kushteve jo të mira, zhegrasit flasin kaluareve se, Zhegra meriton ta ketë një shkollë të mesme me profesione të ndryshme. Pse jo? Kjo anë njihet si rajoni që ka dhënë disa figura të njohura për këtë vend, si Idriz Seferi, Agim Ramadani e shumë të tjerë.Tash për tash, vetëm objekti i ri shkollor “Agim Ramadani” që u ndërtua mbi fshat është një “nuse”, e cila po i jep pamje krejt fshatit.
Ruhan Kurteshi, qytetar nga Zhegra tha se, në këtë fshat mungon iniciativa dhe përkrahja e shoqërisë. “Shihni, shkolla e mesme ku mëson. Këtu është e tmerrshme të punohet, për faktin se ky objekt është vlerësuar nga qarqet e larta se është me rrezik jete. Këtu punojnë disa klasa të arsimit të mesëm, por nuk punohet aq, sepse mungojnë kushte për punë të mirë. Do të duhej që qytetarët të reagojnë dhe ta fitojmë një shkollë të re, të cilën e meriton ky fshat i Karadakut, në të cilin gravitojnë më tepër se 12 fshatra të tjera të Karadakut. Tjetër, si tha ai, Shtëpia e Kulturës, më herët Kooperativa, po flitet se do të shitet. Çka mbetet për banorët e Zhegrës?!
Ky vend është foleja e këtij lokaliteti, i cili meriton të ndërtohet ndonjë shkollë e mesme apo të rinovohet edhe njëherë objekti në fjalë. Vërtet, tash për tash, fshati Zhegër është i lënë pas dore…” /tefik selimi/rajonipress/


