UBT

Presheva bëhet qendër e një konference shkencore për studimet e huaja mbi shqiptarët

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Sevdail Hyseni – Studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Zvicrra dhe Lugina e Preshevës mblidhen më 24 dhe 25 tetor për të trajtuar kontributin e studiuesve të huaj në njohjen e historisë, gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.

Lugina e Preshevës do të jetë në qendër të një veprimtarie të rëndësishme shkencore e kulturore, ku studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Zvicra, Lugina e Preshevës dhe vise të tjera shqiptare do të mblidhen për të diskutuar mbi rolin dhe kontributin e studiuesve të huaj në njohjen, dokumentimin dhe interpretimin e historisë, gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.

Konferenca shkencore me temë “Studiues të huaj për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe viseve të tjera shqiptare” do të mbahet më 24 dhe 25 tetor 2026, në Samolicë, në sallën e konferencave të hotel-restorantit “Bici”, në rrugën e vjetër Preshevë–Bujanoc. Punimet do të nisin të shtunën, më 24 tetor, në orën 11:00.

Konferenca organizohet nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, me seli në Preshevë, ndërsa sipas programit, veprimtaria financohet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Kosovës.

Një forum shkencor me përmasa gjithëshqiptare

Programi i konferencës dëshmon për një pjesëmarrje të gjerë të studiuesve dhe për një shtrirje tematike që përfshin arkeologjinë, historinë, albanologjinë, gjuhësinë, etnologjinë, folklorin, letërsinë dhe trashëgiminë kulturore.

Në mesin e studiuesve të përfshirë në program janë Akademik Adem Bunguri, Akademik Hamit Kaba, prof. dr. Agron Xhagolli, prof. dr. Drita Halimi-Statovci, prof. dr. Isak Shema, prof. dr. Izaim Murtezani, dr. sc. Shpëtim Memishi, prof. dr. Vebi Bexheti, si dhe një numër i madh studiuesish nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Zvicrra dhe Lugina e Preshevës.

Tematika e kumtesave është e gjerë. Ajo nis nga kërkimet arkeologjike dhe monumentet e lashtësisë, duke vijuar me historinë shqiptare, Kosovën dhe çështjen shqiptare në studimet e autorëve të huaj, shqiptarët në Ukrainë, si dhe figura e studiues të rëndësishëm që kanë dhënë kontribut në dokumentimin e historisë shqiptare.

Nga albanologjia te historia dhe gjuha shqipe

Një pjesë e rëndësishme e konferencës i kushtohet albanologjisë dhe studimeve gjuhësore. Në këtë kuadër do të trajtohen figura dhe vepra të studiuesve të huaj, ndër të cilët Petar Skok, Maximilian Lambertz, Auguste Dozon dhe studiues të tjerë.

Në program përfshihen tema mbi gjurmët franceze në albanologji, pikëpamjet e Petar Skokut mbi gjuhën shqipe, toponiminë e rajonit të Shkupit, të folmen e shqiptarëve të Luginës së Shkupit, si dhe kontributet e albanologëve të huaj në studimin e gjuhës, folklorit dhe botës arbëreshe.

Konferenca trajton gjithashtu etnografinë dhe kulturën popullore shqiptare, duke sjellë në vëmendje studimet e autorëve të huaj për këngët e kreshnikëve, ritet e ciklit jetësor, etnokulturën shqiptare dhe muzikën tradicionale.

Edith Durham dhe Lugina e Preshevës

Një tjetër seancë e konferencës do t’i kushtohet në mënyrë të drejtpërdrejtë shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe mënyrës se si ata janë trajtuar në studimet e autorëve të ndryshëm.

UBT

Në këtë drejtim Dr. Sc. Shpëtim MEMISHI, do të trajtojë shqiptarët e Luginës së Preshevës në vështrimin e studiuesve Ulf Brunnbauer dhe Wouter Torbeyns”, ndërsa Xhemaledin Salihu do të prezantojë kumtesën “Polemikë dhe vështrim kritik ndaj autorëve serbë-vëllezërve Petroviq për librat mbi Preshevën shqiptare”. Po në këtë seancë do të prezantohen kumtesa mbi Luginën e Preshevës në këndvështrimin e Geert-Hinrich Ahrens, si dhe tema që lidhen me letërsinë shqipe dhe figurat shqiptare në studimet e autorëve të huaj.

Një ndër temat me interes të veçantë për Luginën e Preshevës është ajo që lidhet me Mary Edith Durham, udhëtarja dhe studiuesja britanike, puna e së cilës ka luajtur rol të rëndësishëm në dokumentimin e jetës, kulturës dhe traditave shqiptare.

Në këtë kuadër, Sevdail Hyseni do të paraqesë kumtesën “Lugina e Preshevës si vazhdimësi e kodit kulturor shqiptar në dritën e vëzhgimeve të Edith Durham-it”. Në të njëjtën seancë do të trajtohen edhe studimet e autorëve të huaj mbi mitologjinë shqiptare, veshjen tradicionale, antropologjinë kulturore dhe trashëgiminë mesjetare shqiptare.

Kjo seancë e vendos drejtpërdrejt Luginën e Preshevës brenda një diskutimi më të gjerë shkencor mbi mënyrën se si studiuesit e huaj kanë vëzhguar, dokumentuar dhe interpretuar kulturën dhe identitetin shqiptar. Po ashtu me kumtesa paraqiten Mr. sc. Refik Hasani “Kontributi në çështjen shqiptare, nga studiuesja britanike Mary Edith Durham (1863-1944), sipas pasqyrimit në librin “Shqipëria dhe shqiptarët; Limon Kadriu: “Lugina e Preshevës në këndvështrimin e Geert-Hinrich Ahrens”; Sejhane Mehmeti: “Vlerësimi kritik frankofon për krijimtarinë letrare të Nerimane Kamberit si dhe mr. sc. Arsim Halili, do të paraqesë kumtesën “Kontributi i Maximillian Lambertzit për letërsinë shqipe”.

Dy ditë diskutime, kumtesa dhe shkëmbim akademik

Programi parashikon gjashtë seanca shkencore, të shoqëruara me diskutime dhe hapësira për shkëmbim akademik. Për secilën kumtesë është përcaktuar kohëzgjatje prej 10 minutash, ndërsa diskutimet do të zhvillohen brenda afateve të përcaktuara nga organizatorët.

Përveç punimeve shkencore, programi përfshin edhe një mbrëmje muzikore, poetike dhe recituese, si dhe një ekspozitë me fotografi të trashëgimisë kulturore dhe aktiviteteve të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore.

Në përmbyllje të konferencës është paraparë edhe promovimi i librit “Personalitete dhe figura me vlera shkencore dhe kulturore shqiptare nga Lugina e Preshevës dhe vise të tjera shqiptare”, me pjesëmarrjen e prof. dr. Drita Halimi Statovcit, prof. dr. Agron Xhagollit dhe prof. dr. Izaim Murtezanit. Moderator i promovimit do të jetë Xhemaledin Salihu.

Një takim shkencor përtej kufijve administrativë

Konferenca synon të krijojë një hapësirë të përbashkët akademike për studiuesit që merren me historinë dhe kulturën shqiptare, duke vendosur në qendër të vëmendjes edhe Luginën e Preshevës.

Përmes kumtesave të studiuesve nga Shqipëria, Kosova, Maqedoni e Veriut, Zvicrra dhe Lugina e Preshevës, veprimtaria synon të sjellë në një tryezë të përbashkët këndvështrime të ndryshme mbi burimet, dokumentet dhe studimet e autorëve të huaj për shqiptarët.

Në këtë kuptim, organizatorët e kanë konceptuar konferencën jo vetëm si një tubim dyditor të studiuesve, por edhe si një mundësi për të diskutuar mbi trashëgiminë kulturore, dokumentimin shkencor dhe vendin e Luginës së Preshevës në studimet shqiptare.

Bordi i organizimit përfshin emra të fushave të ndryshme akademike, ndërsa Këshilli organizativ përbëhet nga Këshilli drejtues i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore.
Konferenca shkencore do të zhvillohet më 24 dhe 25 tetor 2026 në Samolicë, duke e kthyer Luginën e Preshevës për dy ditë në një pikë takimi të studiuesve, albanologëve dhe hulumtuesve të historisë e kulturës shqiptare./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.