“Decentralizimi i Lutës” e ka sjellë Pavarësinë, “Zajednica” e VV-së po e rrënon
Gjilan – Pas aksionit të Lëvizjes “Vetëvendosje” në Gjilan, ku kanë shpuar gomat e veturave zyrtare, ka ardhur reagimi i kryetarit të Komunës Lutfi Haziri.
Në reagim thuhet: “Pas punëve që janë duke u bërë në Komunën e Gjilanit në vlerë prej 5 milionë euro në zëvendësim të gypave të asbestit dhe rregullimit të lumit “Mirusha” e “Stanishorka” dhe ujërave të zeza gjithandej territorit të Komunës në vlerë prej 7 milionë euro, sot Vetëvendosje në Gjilan në mënyrë tinëzare ka shpuar gomat e veturave zyrtare të Komunës.
Duke e kuptuar vokacionin e Vetëvendosjes në qendër, shpresoj që të mos bartet dhuna edhe në Gjilan, në qytetin e demokracisë, sepse aksionet e tilla të dëmtimit të pronës publike janë të papranueshme dhe si të tilla të dënueshme me ligjet e Republikës.
Sa për informatën e individëve të frustruar, të cilët, po e përsëris, s’e kanë kaluar as Llabjanin, e le më të merren dhe kuptojnë politikat nacionale, ‘decentralizimi i Lutës’ e ka sjellë Pavarësinë e Kosovës, ndërkaq ‘Zajednica’ e Vetëvendosjes po e rrënon këtë Pavarësi”, thuhet në reagimin e të parit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri./rajonipress/


