Ismajl Byqmeti dënohet për dy vepra penale me 14 vite e 6 muaj burgim
Gjilan – Një trup gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, me datë 14.09.2015 ka shpall Aktgjykimin ndaj të akuzuarit Ismajl Byqmeti, duke e gjykuar me dënim unik prej 14 (katërmbëdhjetë) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.
I akuzuari Ismajl Byqmeti shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës në gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore është shpallur fajtor, sepse me datë 29.09.2013, rreth orës 05:00 minuta, në fshatin Ponesh të Komunës së Gjilanit, ka privuar nga jeta tani të ndjerin I. B, dhe ka rrezikuar jetën e personit B. B.
Fajtori Ismajl Byqmeti me këtë rast ka kryer dy vepra penale: vrasje e rëndë dhe veprën e dytë penale përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.
Për veprën e parë trupi gjykues e gjykon me dënim prej 13 viteve burgim, si dhe për veprën e dytë në kohëzgjatje prej dy viteve burgim, konform nenit 80 gjykata ia shqipton dënimin unik burgu në kohëzgjatje prej 14 vite e 6 muaj burgim.
Të akuzuarit ka për të iu llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim dhe qëndrimi në Repartin e Psikiatrisë Forenzike në ekzaminim klinik në Prishtinë.
Palët gëzojnë të drejtën e kontestimit të këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit. /rajonipress/


