UBT

Pacolli në prag të verdiktit për ish-krerët e UÇK-së: “Nesër nuk është vetëm një ditë në kalendar, është një ditë që do të rëndojë mbi zemrat e familjeve”

/ 5 minuta lexim
United Hospital

Prishtinë – Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale në prag të shpalljes së verdiktit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët prej vitesh po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në reagimin e tij, Pacolli e ka vënë theksin te dimensioni njerëzor i procesit dhe te pritja e gjatë e familjeve të të akuzuarve, duke theksuar se pas emrave të figurave të njohura publike qëndrojnë familje që, sipas tij, prej vitesh jetojnë me mungesën, ankthin dhe pasigurinë.

“Nesër jepet verdikti për burrat që prej vitesh mbahen në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka theksuar se secila prej familjeve të të akuzuarve përfaqëson një histori njerëzore më vete dhe se pritja e gjatë për përfundimin e procesit ka lënë gjurmë të thella te familjarët.

“Këta emra, këto familje që presin, secila prej tyre është një histori njerëzore në vete që sot mbajnë mbi supe peshën e një pritjeje të gjatë, të dhimbshme dhe të pasigurt”, është shprehur Pacolli.

Sipas tij, pas procesit gjyqësor nuk qëndrojnë vetëm emra dhe figura politike apo të luftës, por edhe prindër, bashkëshorte, fëmijë, vëllezër, motra dhe miq që, siç shkruan ai, prej vitesh presin një lajm dhe një përfundim të procesit.

“Pas këtyre emrave qëndrojnë prindër, bashkëshorte, fëmijë, vëllezër e motra, miq që çdo ditë presin një lajm, një fjalë, një shpresë. Qëndrojnë familje që tani kanë mësuar të jetojnë me mungesën, me ankthin dhe me dhimbjen e ndarjes”, ka shkruar ish-presidenti.

Pacolli e ka cilësuar ditën e verdiktit si një moment me peshë të veçantë jo vetëm për familjet e të akuzuarve, por edhe për shoqërinë kosovare, duke e lidhur atë me përvojën e luftës, sakrificën dhe rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë.

“Nesër nuk është vetëm një ditë në kalendar. Është një ditë që do të rëndojë mbi zemrat e tyre, mbi familjet e tyre dhe mbi një popull të tërë që e ka përjetuar luftën, lirinë dhe sakrificën”, ka deklaruar Pacolli.

FIDANISHTJA

Në postimin e tij, ish-presidenti ka nënvizuar se kërkesa për drejtësi nuk duhet të interpretohet si kërkesë për privilegj apo shmangie të ligjit. Ai ka kërkuar që procesi të zhvillohet mbi parimet e paanshmërisë, pavarësisë dhe standardeve të barabarta për të gjithë.

“Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi. Nuk kërkojmë që ligji të anashkalohet. Kërkojmë që ai të zbatohet me paanshmëri, dinjitet dhe standarde të barabarta”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka rikujtuar gjithashtu parimin e prezumimit të pafajësisë dhe të drejtën e çdo të akuzuari për një proces të drejtë, duke theksuar se drejtësia duhet të bazohet në prova dhe argumente dhe jo në paragjykim apo dënim përpara marrjes së vendimit.

“Çdo i akuzuar ka të drejtën e një procesi të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm. Drejtësia nuk duhet të jetë hakmarrje, as dënim përpara vendimit. Ajo duhet të jetë e pastër, e argumentuar dhe e barabartë për të gjithë”, është shprehur ai.

Në fund të reagimit, Pacolli ka shprehur solidaritetin e tij me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre, duke përmendur në mënyrë të veçantë prindërit, bashkëshortet, fëmijët dhe familjarët që, sipas tij, kanë pritur me vite për përfundimin e procesit.

“Sot, zemrat tona janë me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre. Me nënat, baballarët, gratë, fëmijët dhe të gjithë ata që kanë pritur me vite”, ka shkruar Pacolli.

Ai e ka përmbyllur mesazhin me një urim që vendimi i gjykatës të sjellë, sipas tij, drejtësi, të vërtetën dhe ruajtjen e dinjitetit njerëzor.

“Urojmë që nesër të triumfojë drejtësia, e vërteta dhe dinjiteti njerëzor”, ka shkruar Pacolli, duke e mbyllur reagimin me mesazhin: “Kosova nuk harron. Familjet nuk harrojnë. Historia nuk harron.”

Postimi i ish-presidentit vjen në një moment të ndjeshëm për familjet e ish-krerëve të UÇK-së dhe për opinionin publik në Kosovë, ndërsa procesi gjyqësor në Hagë ka marrë vëmendje të gjerë publike dhe politike gjatë viteve të fundit./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.