Misioni i dashurisë
Poezi nga Atdhe Geci
I
Dashuria për atdheun nuk mund të gjykohet,
as të dënohet.
Ajo është e shenjtë,
sepse buron nga thellësia e shpirtit
dhe nga kujtesa e një populli.
Dashuria për atdheun
nuk pranon të mbyllet në heshtje
dhe as të burgoset në pranga.
II
Ajo është e lirë si fjala,
e fuqishme si e vërteta
dhe e guximshme
përballë çdo rreziku.
III
Dashuria për atdheun
është fuqi e së vërtetës
dhe guxim i ndërgjegjes.
Ajo lind aty
ku njeriu e ndien se toka
mbi të cilën ka lindur
nuk është vetëm një copë dheu,
por kujtesë, gjak, gjuhë,
histori dhe amanet.
IV
E veçanta e kësaj dashurie
qëndron në fuqinë e vullnetit
dhe të ndërgjegjes së popullit,
në gatishmërinë e tij
për të qëndruar në këmbë
dhe, kur koha e kërkon,
për t’u flijuar për lirinë,
dinjitetin dhe të drejtën e tij.
V
Në epokën tonë historike
nuk kanë munguar furtunat,
rrëbeshet dhe përpjekjet
për ta zbehur dashurinë për atdheun.
Por dashuria e vërtetë
nuk shuhet nga stuhitë.
Ajo bëhet më e fortë
pikërisht atëherë
kur atdheu dhe liria rrezikohen.
VI
Një popull që e do atdheun
nuk mund të rrijë i heshtur
përballë padrejtësisë.
Ai e ngre zërin
kur duhet të flasë,
qëndron kur duhet të qëndrojë
dhe ecën përpara
kur historia e thërret.
VII
Dashuria për atdheun,
në çdo kohë dhe në çdo rrethanë,
mbart në vetvete
natyrën e paqes,
natyrën e qëndresës
dhe natyrën e ndryshimeve të mëdha.
Ajo është paqe
kur drejtësia triumfon;
është rebelim
kur padrejtësia bëhet ligj;
është ndryshim
kur koha kërkon një fillim të ri.
VIII
Ajo është edhe mision i fisnikërimit:
të pastrojë atë që është ndotur,
të ngrejë atë që është rrëzuar,
të rikthejë dinjitetin
aty ku është cenuar
dhe shpresën
aty ku është shuar.
IX
Dashuria për atdheun
është fuqi e së vërtetës
vetëm atëherë kur udhëhiqet
nga njerëz të ditur,
të drejtë,
të ndërgjegjshëm
dhe me duar të pastra.
Sepse atdheu
nuk kërkon vetëm fjalë të mëdha;
ai kërkon përgjegjësi,
sakrificë
dhe besnikëri ndaj së vërtetës.
X
Shqiptarët
e kanë këtë dashuri në zemër.
Prandaj,
le t’i dalim zot atdheut,
kujtesës dhe trojeve tona.
Le ta mbajmë gjallë
amanetin e brezave
dhe ta përcjellim atë
si një dritë
nga një brez te tjetri.
XI
Lavdi Pirros!
Lavdi Gjergj Kastriotit!
Lavdi Adem Jasharit!


