ARKATANA

“Në Shqipëri mu shkatërrua karriera”

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Shkodran Metaj ia ka parë sherrin transferimit në Shqipëri tek ekipi i Flamurtarit, ku kishte shkuar me kënaqësi të madhe, duke e sakrifikuar Evropën. Mesfushori kosovar ka thënë se periudha e kaluar në Shqipëri ia mbylli para kohe karrierën si futbollist profesionist. 28-vjeçari zbulon tmerrin që e përjetoi në Vlorë, derisa tregon se është ende në gjyq me Flamurtarin për borxhin që ia ka klubi kuqezi. Ish-reprezentuesi kosovar thotë se korrupsioni e dallaveret janë diçka të zakonshme në Shqipëri.

Shkodran Metaj po kalonte momente fantastike të karrierës në Eredivisie (liga elitare holandeze) me ekipet FC Groningen e Waalwijk e më pas edhe me skuadrën FC Emmen në Jupiter League (liga elitare belge).

Mirëpo, një ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës vite më parë e kishte lidhur edhe më shumë emocionalisht futbollistin pejan me kombin dhe ngjyrat kuqezi. Madje, ai e kishte sakrifikuar kampionatin holandez për t’u transferuar në kampionatin shqiptar, tek Flamurtari, vetëm për t’u veshur me ngjyrat që e përfaqësojnë kombin tonë.

Mirëpo, 28-vjeçarit gjërat nuk i shkuan siç kishte paramenduar. Ai e kërkonte parajsën në vendin e shqiponjave, por aty e gjeti ferrin.

Shkodrani ka luajtur shumë shkurt në Vlorë dhe atë periudhë të tmerrshme thotë se nuk do të donte ta kujtonte kurrë e lëre më ta provonte ndonjëherë në të ardhmen. Figura të panjohura në klub, gjoba të pakuptimta dhe në fund tymi.

Zëri shkruan se Metajt i kishte ardhur në majë të hundës dhe kishte kërkuar të largohej, pasi kishte marrë ofertë nga Holanda, respektivisht nga ekipi HHC Hardenberg, ku ia kalon mjaft mirë.

“Kam pasur oferta në xhep nga klube tjera, por nuk kam menduar dy herë: klubi shqiptar qëndronte mjaft mirë në aspektin financiar. Unë nuk kisha ambicie të luaja në Shqipëri, por Flamurtari erdhi me një ofertë të majme”, ka kujtuar fillimisht Metaj për “TweedeDivisie.org”.

“Kam qëndruar vetëm tri ditë atje dhe jam bindur të qëndroj. Klubi mbahej nga një turk i pasur, i cili kishte investuar shumë në stadium, infrastrukturë dhe për klubin në përgjithësi. Kërkonin shumë, ishin ambiciozë, por nëse ua lë në duar klubin shqiptarëve, gjërat shkojnë shumë keq. Korrupsioni ishte bërë atje përditshmëri”, kujton mesfushori kualitativ.

Sipas tij, fillimi ishte i mirë. Por kur munguan rezultatet, gjërat u përkeqësuan. “Pas tre muajsh filluan të mungojnë rezultatet. Dhe, në vendet më të ulëta personat reagojnë me emocion të pastër. Nuk ka fitore, nuk ka para”, shton ai.

Në Shqipëri luajtën lojë të pistë

Mobi Casa

Eksperienca e Metajt te Flamurtari ishte e shkurtër. Pas pak muajsh nisën problemet, të cilat nuk kanë mbaruar as tash. Pasi klubi ia vononte rrogat, një fenomen i ri për të, pasi në Holandë e Belgjikë paguhej me rregull, ai vendosi t’i hynte rrugës së gjyqit.

“Ata niseshin nga parimi: të gjithë duhet të dëgjojnë. Por kjo nuk shkon, kështu nuk jam mësuar në Holandë. Më pas ka filluar procesi, e kam gjetur një avokat dhe ka nisur loja ‘macja me miun’. Flamurtari e ka luajtur një lojë të pistë”, shpjegon Metaj.

E këtë vendim nuk e kishin pritur aspak mirë drejtuesit e klubit vlonjat, të cilët kishin nisur t’i hakmerreshin atij. “Unë më duhet të them se jam krenar me veten sepse kam qëndruar i qetë. Menjëherë ka pasuar gjoba prej gjysmë rroge dhe për këtë nuk dija asgjë”, zbulon Metaj trishtimin që e kishte përjetuar në Shqipëri.

Në gjyq me Flamurtarin

Metaj tregon se nuk e ka mbyllur ende me Flamurtarin. Ai zbulon se klubi shqiptar i ka premtuar se do t’ia paguajë në tri rata borxhet që ia ka.

“Unë i dua tri të katërtat tash dhe pjesën tjetër në janar. FIFA tashmë i ka paralajmëruar, po ata nuk kanë vepruar ende. Kur u ankova edhe në CAS, ata u dënuan me gjashtë pikë. Tash duket se janë të interesuar të më paguajnë për t’i ikur ndonjë dënimi tjetër”, nënvizoi Metaj.

Mbeti pa klub, ushtroi në shtëpi

Pasi u kthye në Holandë i është bashkuar ekipit FC Emmen, por problemet me Shqipërinë nuk e lanë rehat. Atij nuk ia jepte fletëlëshimin Flamurtari dhe mbeti pa luajtur më. Tash e një vit ai ka mbetur në shtëpi, pa ekip.

“Ju që shkoni në Shqipëri për të luajtur, mos e leni ekipin në gjysmë të sezonit. Më duhet ta pranoj se në Shqipëri mu shkatërrua karriera. Atje m’i ndërronin pozitat në fushë vetëm për t’u konsideruar si dështim. Më bënë të luaj edhe mbrojtës i djathtë. Kur u ktheva në Holandë mendova se nuk kishte problem me transferin, por drejtuesit e Flamurtarit më befasuan. Më thanë, dëshiron të luash? Atëherë tërhiqe lëndën në gjykatë”, shton Metaj, i cili nuk është më atraktiv për klubet evropiane.

“Mu desh të ushtroja në shtëpi qe sa muaj, kjo të vret mentalisht. Por, më pas më kontaktoi klubi HHC Hardenberg. Nuk ishte klubi i aspiratave të mia, por tash jam i lumtur që po luaj”, përfundoi Metaj.