Abdixhiku tash kërkon që “pa vonesa” të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe Bekim Sejdiu President
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se bënë “punë të mirë” për vendin me dakordimin e arritur me Lëvizjen Vetëvendosje që ish-ambasadori dhe ish-gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu të zgjidhet President i vendit.
Abdixhiku kërkoi që tani “pa vonesa” të konstituuohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria e re dhe të zgjidhet Bekim Sejdiu President.
“Andaj, pa vonesa, le të konstituojmë Kuvendin e Kosovës, le të zgjidhet qeveria e Kosovës dhe le të zgjedhim presidentin e ardhshëm të republikës së Kosovës, Prof. Dr. Bekim Sejdiun”, tha ai në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ku ishte i pranishëm edhe Sejdiu.
Me kërkesë të Kurtit, seanca konstituive e Kuvendit që nisi më 6 gusht u ndërpre dy herë radhazi. Ai nuk e propozoi kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi e konsideronte të padobishme që të zgjidhet kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, më 7 gusht në mesnatë ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari – deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LVV-ja – e caktoi për 8 gusht vazhdimin e seancës konstituive, e cila u ndërpre nga ai në po të njëjtën mënyrë si ditën kur nisi.
LVV-ja ka insistuar se nuk do të ketë vazhdim të seancës konstituive pa një marrëveshje paraprake për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat kushtetues 60 ditor, i cili fillon të rrjedhë vetëm pasi të konstituohet Kuvendi.


