“Bulevardi i Qytetit” përplaset me kritikat e qytetarëve: “Me një apo dy bagera nuk bëhet një projekt i kësaj madhësie”
Gjilan – Qytetarët kanë shprehur qëndrime të ndryshme. Disa prej tyre e kanë mbështetur projektin, duke shpresuar se ai do të përfundojë me sukses dhe do t’i japë një pamje të re qendrës së qytetit, ndërsa të tjerë kanë kritikuar ritmin e punimeve, menaxhimin e projektit dhe prishjen e parkut të qytetit.
Projekti për ndërtimin e Bulevardit të Qytetit në Gjilan ka nxitur reagime të shumta dhe të ndryshme nga qytetarët, pas një postimi të kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, i cili ka publikuar pamje nga punimet në terren.
Hyseni ka shkruar se ditën e ka nisur në terren, duke ndjekur nga afër punimet për realizimin e projektit.
“Diten e nisëm në terren, aty ku po merr jetë Bulevardi i Qytetit. Bashkë me ekipin ndoqëm punimet hap pas hapi për t’u siguruar që gjithçka po shkon sipas planit. Faleminderit qytetarëve për mirëkuptimin gjatë kësaj faze. Rezultati do të jetë i jashtëzakonshëm!”, ka shkruar Hyseni.
Por, në komentet në postimin e tij, qytetarët kanë shprehur qëndrime të ndryshme. Disa prej tyre e kanë mbështetur projektin, duke shpresuar se ai do të përfundojë me sukses dhe do t’i japë një pamje të re qendrës së qytetit, ndërsa të tjerë kanë kritikuar ritmin e punimeve, menaxhimin e projektit dhe prishjen e parkut të qytetit.
Erblin Mehmeti ka shprehur një qëndrim pozitiv, por me një kusht të qartë për kohën e përfundimit.
“Nëse ky projekt përfundon brenda 3 viteve, do të jetë projekti më i rëndësishëm dhe më i mirë që do të mbahet mend për Gjilanin”, ka shkruar ai.
Në anën tjetër, Dardi Neziri ka kritikuar ashpër ritmin e punimeve, duke kërkuar më shumë angazhim në terren.
“Me një apo dy bagera nuk bëhet një projekt i kësaj madhësie. Duhet më shumë makineri, më shumë punëtorë dhe punë me ritëm të shtuar”, ka shkruar Neziri.
Ai ka shtuar se qytetarët nuk duhet të presin gjatë për shkak të zvarritjes së punimeve, duke kërkuar që projekti të përfundojë brenda afateve të parapara.
Ndërkohë, Haki Shala ka shprehur shpresën se projekti është planifikuar siç duhet, duke komentuar me ironi edhe për ndikimin që mund të ketë moti në ecurinë e punimeve.
Kritikat më të ashpra kanë ardhur nga qytetarë që kundërshtojnë ndryshimin e hapësirës së gjelbër në qendër të Gjilanit. Urim Zeqiri ka vënë në pikëpyetje konceptin e projektit, duke e krahasuar atë me betonizimin e hapësirës së mëparshme.
“Ku po merr jetë qyteti? Ku po sheh jetë se, Bulevard = beton. Parku përveç që ishte më i mirë se ky farë bulevardi, ishte njëkohësisht edhe identiteti i qytetit tonë!”, ka shkruar Zeqiri.
Edhe Haki Sadri Rugova ka shprehur skepticizëm për përfundimin e projektit, duke e krahasuar fatin e tij me atë të autostradës Gjilan–Prishtinë.
Kritika edhe më të drejtpërdrejta kanë ardhur nga Zijadin Bajrami, i cili ka shkruar: “E keni shkatërru parkun e qytetit o kanibal”, ndërsa Skender Rrustemi ka akuzuar drejtuesit komunalë për, siç e quan ai, “shkatërrim të bërthamës së qytetit”.
Komentet tregojnë se projekti ka ndarë opinionin qytetar: një pjesë e qytetarëve presin që Bulevardi i ri ta transformojë qendrën e Gjilanit, ndërsa kundërshtarët e projektit shqetësohen për humbjen e parkut dhe mënyrën se si po zhvillohen punimet.
Në qendër të debatit mbeten dy çështje kryesore: a do të përfundojë projekti brenda një afati të arsyeshëm dhe a do të jetë rezultati përfundimtar në përputhje me atë që është premtuar nga Komuna e Gjilanit?/rajonipress/


