Eko Higjiena

Inspektim pa helmeta në kantierin 18-milionësh – shembull i keq nga ata që duhet të japin shembull

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Një postim i kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, nga punimet në Bulevardin e Qytetit ka nxitur vëmendje për një detaj që nuk lidhet me ritmin apo cilësinë e projektit, por me sigurinë në vendin e punës. Hyseni ka publikuar fotografi nga vizita në terren, ku shfaqet së bashku me bashkëpunëtorët e tij teksa po zhvillohen punime në kuadër të një projekti me vlerë mbi 18 milionë euro.

Në postimin e tij, Hyseni shkruan se ditën e kanë nisur “në terren, aty ku po merr jetë Bulevardi i Qytetit”, duke theksuar se bashkë me ekipin ka ndjekur punimet për t’u siguruar se gjithçka po zhvillohet sipas planit.

Por fotografitë e publikuara ngrenë një tjetër pyetje: ku janë helmetat dhe pajisjet bazë mbrojtëse?

Në një ambient ku janë duke u kryer punime ndërtimore, prania e zyrtarëve publikë pa pajisje të dukshme mbrojtëse mund të shihet si një mesazh i gabuar për sigurinë në punë. Sidomos kur bëhet fjalë për drejtues institucionalë, të cilët nuk duhet vetëm të kërkojnë respektimin e rregullave nga kompanitë dhe punëtorët, por edhe të jenë vetë shembull i respektimit të tyre.

Kjo e bën situatën edhe më paradoksale: një vizitë e prezantuar si mbikëqyrje profesionale e një projekti të madh përfundon duke ekspozuar një neglizhencë të dukshme në aspektin e sigurisë personale.

Nëse rregullat e sigurisë në kantier kërkojnë përdorimin e helmetave dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse për personat që hyjnë në zonën e punimeve, atëherë standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjithë – pa dallim nëse bëhet fjalë për punëtor, mbikëqyrës, zyrtar komunal apo drejtues të institucionit.

Për më tepër, një projekt me vlerë mbi 18 milionë euro kërkon jo vetëm investim financiar dhe mbikëqyrje të punimeve, por edhe kulturë institucionale të sigurisë dhe përgjegjësisë.

ARKATANA

Alban Hyseni, në postimin e tij, e përmbyll mesazhin me premtimin se “rezultati do të jetë i jashtëzakonshëm”. Qytetarët sigurisht presin që rezultati të jetë i tillë. Por para rezultatit përfundimtar, do të ishte mirë që edhe standardi i sigurisë në terren të ishte po aq i jashtëzakonshëm sa projekti që po ndërtohet.

Sepse ata që kërkojnë nga të tjerët respektimin e rregullave, sidomos në një kantier ndërtimi, duhet të jenë të parët që i respektojnë ato.

Qytetarët kritikojnë ritmin e punimeve dhe kërkojnë më shumë përgjegjësi

Përveç çështjes së sigurisë në kantier, postimi ka nxitur edhe reagime të tjera nga qytetarët, kryesisht për ritmin e punimeve, prioritetet e investimeve dhe mënyrën e menaxhimit të projektit. Dardi Neziri ka kritikuar numrin e kufizuar të makinerive dhe punëtorëve, duke shkruar se “me një apo dy bagera nuk bëhet një projekt i kësaj madhësie” dhe se qytetarët nuk duhet të presin gjatë ndërsa qyteti mbetet i bllokuar.

Ndërsa Hafiz Rudi e ka vënë në pikëpyetje vetë përcaktimin e prioriteteve të komunës, duke argumentuar se problemet me kanalizimet, ujërat e zeza dhe ujërat atmosferike kanë qenë më urgjente për qytetarët. Ai ka shprehur gjithashtu kritika për cilësinë e punimeve dhe përgjegjësinë e operatorëve dhe mbikëqyrësve.

Në anën tjetër, Pal S. Lakna ka reaguar drejtpërdrejt për çështjen e sigurisë, duke i kërkuar kryetarit që së paku të vendosë helmetën në vendpunishte dhe të respektojë rregullat e përcaktuara në hyrje të kantierit.

Reagimet e qytetarëve, pavarësisht dallimeve në fokus, kanë një pikë të përbashkët: projekti duhet të shoqërohet me më shumë ritëm, transparencë, cilësi dhe përgjegjësi institucionale./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.