ARKATANA

Një muaj para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, Bajrami: Lufta e UÇK-së ishte luftë për lirinë e Kosovës

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Një muaj para shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, profesor i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, ka reaguar përmes një postimi, duke vlerësuar se procesi ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit ka rëndësi të jashtëzakonshme juridike, politike dhe historike për Kosovën.

Bajrami ka shprehur shqetësime lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit dhe procesit gjyqësor, si dhe mënyrën e zhvillimit të tij.

“Si profesor i së drejtës kushtetuese dhe jurist, besoj se ky proces ka qenë në kundërshtim me standardet më të larta të shtetit të së drejtës, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të parimeve universale të një gjykimi të drejtë”, ka shkruar Bajrami.

Ai ka theksuar se përtej aspektit juridik, procesi prek edhe mënyrën se si lufta e UÇK-së do të interpretohet në kujtesën ndërkombëtare dhe në historinë e Kosovës.

“Për këtë arsye, duhet të jemi të qartë dhe të vendosur: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë çlirimtare dhe luftë për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Sipas Bajramit, UÇK-ja veproi në rrethana të represionit të rëndë të regjimit të Slobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“UÇK-ja nuk e krijoi konfliktin në Kosovë. Konflikti ishte rezultat i politikës represive dhe diskriminuese të regjimit serb ndaj Kosovës”, ka shkruar ai.

Bajrami ka kritikuar çdo përpjekje që, sipas tij, synon shkëputjen e luftës së Kosovës nga konteksti i saj historik.

“Prandaj, çdo përpjekje për ta rishkruar historinë e Kosovës duke e paraqitur luftën çlirimtare si një projekt kriminal, apo duke e barazuar atë me politikën shtetërore të represionit dhe dhunës së regjimit të Millosheviqit, duhet të kundërshtohet me argumente historike, juridike, politike dhe akademike”, ka thënë ai.

ARKATANA

Ai ka theksuar se një aktgjykim nuk mund ta përcaktojë i vetëm historinë e Kosovës.

“Një proces gjyqësor nuk mund ta zëvendësojë historinë. Historia e Kosovës nuk fillon me një aktakuzë dhe nuk përfundon me një aktgjykim”, ka shkruar Bajrami.

Sipas tij, pavarësisht vendimit të Gjykatës Speciale, ai nuk duhet të përdoret për rishkrimin e historisë së Kosovës.

“Prandaj, çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Speciale, ai nuk duhet të shndërrohet në instrument për rishkrimin e historisë së Kosovës”, ka theksuar ai.

Bajrami ka bërë thirrje për unitet politik dhe shoqëror në këtë periudhë.

“Mund të kemi pikëpamje të ndryshme për qeveritë, partitë dhe politikat publike. Por përballë përpjekjeve për deformimin e historisë së Kosovës duhet të kemi një qëndrim të përbashkët”, ka shkruar ai.

Në fund, Bajrami ka thënë se pret që Gjykata Speciale të marrë një vendim të drejtë dhe ka shprehur shpresën se aktgjykimi do të jetë lirues.

“Unë dua të besoj se Gjykata Speciale do të japë një vendim të drejtë, të mbështetur në ligj dhe në standardet më të larta të drejtësisë. Shpresoj që vendimi të jetë lirues dhe që ky proces i gjatë të përfundojë me një rezultat që do t’u japë fund shumë prej dilemave dhe akuzave që për vite kanë rënduar mbi Kosovën dhe mbi historinë e saj të luftës çlirimtare”, ka deklaruar Bajrami.

Ai ka përfunduar me thirrjen për unitet, duke theksuar: “Por, cilido qoftë vendimi, Kosova duhet të mbetet e bashkuar.” /Telegrafi/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.