S’ka avancime të pamerituara
Rektorati i Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” nuk ka vendosur sesi do të tejkalohet situata rreth zgjedhjes së stafit të rregullt akademik, çështje që ka çuar në dështimin e katërt të Senatit për ta përfunduar. I shpallur në janar të këtij viti, konkursi për pranimin e personelit të rregullt akademik në UP ka tensionuar situatën në këtë Universitet, duke ndarë Senatin dhe menaxhmentin e Rektoratit.
Të premten, rektori Ramadan Zejnullahu, ka theksuar se ndjen keqardhje që për shkak të ndërprerjes së mbledhjes nuk janë shqyrtuar disa kërkesa urgjente të studentëve. “Gjatë ditëve në vijim, menaxhmenti i Universitetit do të bëjë përpjekje që në kuadër të autorizimeve të veta t’i adresojë këto kërkesa, në mënyrë që viti i ri akademik të fillojë me kohë”, ka thënë në një deklaratë të tij për media rektori Zejnullahu.
Ai ka sqaruar se nuk mund të kryesojë mbledhje ku “shumica” do të vendosë për avancimin e atyre që nuk i plotësojnë kushtet minimale për avancime./zeri/


